Vettingu në polici, 220 efektivë largohen nga detyra

schedule15:46 - 10 Maj, 2018

schedule 15:46 - 10 Maj, 2018

Rreth 220 efektivë nuk pranuan t’i nënshtrohen procesit të Vettingut në radhët e policisë, duke mos dorëzuar formularët e vetëdeklarimit. Në total pranuan të jenë pjesë e sistemit të filtrimit 98 për qind e punonjësve, ndërsa 2 për qind refuzuan.

“Një shumicë goxha e madhe e kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit dhe i janë nënshtruar këtij procesi vlerësimi. Për të pasur shifra sa më të sakta për sa e kanë dorëzuar, sa nuk e kanë dorëzuar duhet të presim”.

Kur kanë kaluar 3 ditë nga kjo deklaratë e zv/ministrit të Brendshëm, i cili njoftoi edhe mbylljen e afateve për dorëzimin e formularëve të vetëdeklarimit mbi procesin e Vettingut në radhët e policisë, ende shifrat nuk janë bërë publike.

Burime kofidenciale pohuan për ABC News se numri i efektivëve që nuk pranuan të jenë më pjesë e policisë është 220. Ndërsa 98 për qind e punonjësve dorëzuan brenda datës 7 Maj formularët e vetëdeklarimit. 11 mijë është numri në total i efektivëve blu që kishin detyrim të nënshtroheshin procesit të Vettingut, nga të cilët 2 për qind e tyre u dorëhoqën që në fazën e parë.

Numri i policëve që pritet të largohen nga radhët e uniformave mund rritet edhe më shumë, pasi të kalojnë në “sitën” e Komisionit të Jashtëm të Verifikimit.

Ky komision i përbërë nga 15 anëtarë fillimisht do të kontrollojë 300 efektivët me gradë të lartë policore. Më pas monitorimit do t’i nënshtrohen ata me gradë të mesme që janë 2500 dhe në fund ata me gradë të nivelit bazë, me rreth 8 mijë punonjës.

Efektivët duhet t’i përgjigjen pyetjeve nëse kanë qenë bashkëpunëtorë, apo anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe, nëse janë përdorues të lëndëve narkotike. Gjithashtu punonjësit duhet të deklarojnë edhe nëse kanë patur takime me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Procesi i Vettingut mbështet në tri kritere; pastërtia e figurës, pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Ligji parashikon si mundësi për t’u rikthyer në radhët e policisë edhe ata punonjës që janë larguar më herët strukturat, por më parë duhet të kalojë Vettingun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!