Vettingu “djeg” prokurorin Trenova, gjyqtari Toska merr vlerësim pozitiv

schedule15:33 - 20 Qershor, 2018

schedule 15:33 - 20 Qershor, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit Tiranë, Gentian Trenova. Avokati i tij paralajmëroi apelimin e vendimit dhe ngriti dyshime mbi mënyrën e funksionimit të KPK. Gjatë të mërkurës doli para Komisionit edhe gjyqtari i Apelit Tiranë, Ilir Toska, i cili mori vlerësime pozitive për të tre kriteret, ku bazohet vettingu.

Gjashtë ditë pas tërheqjes në dhomën e këshillimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli me një vendim përfundimtar për prokurorin e Apelit të Tiranës, Gentian Trenova.

“Shkarkimin në detyrë të prokurorit Gentian Trenova me detyrë në Prokurorinë e Apelit Tiranë”.

Ky karton i kuq i Vettingut ndërpreu karrierën prej gati 2 dekadash të Trenovës, gjatë së cilës, ai ka përfaqësuar interesat e shtetit në gjykime si ai ndaj Aldo Bares dhe “Bandës së Lushnjës” në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Në seancën dëgjimore, KPK vlerësoi si problematike mosjustifikimin e një apartamenti 50 metër katrorë të Trenovës në një pallat të para viteve 1990, mbi të cilin ishte bërë një shtesë. Vetë Trenova tha se shtesa ishte ndërtuar nga vjehrri i tij në burime të ligjshme.

Komisioni dhe përfaqësuesi i ONM-së në seancë, ngritën dyshime edhe për dy çështje penale, për të cilat Gentian Trenova kishte pushuar hetimet. Sipas KPK-së, në një rast prokurori nuk kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin pasuror të një trafikanti, ndërsa në rastin tjetër nuk kishte vijuar hetimin për një aferë korruptive për të cilën ishte përgjuar edhe një prokuror.

Trenova nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit. Avokati i tij tha se do t’i drejtohet Apelit dhe hodhi dyshime për një vendim të ndikuar.

Është vendim totalisht i padrejtë dhe i gabuar. Nëse as ky standard nuk vlen për të kaluar vettingun diçka është shumë gabim me metodologjinë që po përdor ky komision. Është për të ardhur keq, sepse Shqipëria nuk e ka luksin që të humbasë njerëzit e tij më të përgatitur në sistem në këtë mënyrë.

Gjatë të mërkurës para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit doli edhe gjyqtari i Apelit Tiranë, Ilir Toska, i cili u vetua me përparësi për shkak të kandidaturës së tij në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Në relatimin e Komisionit, Toska figuronte si zotërues i një pasurie të vetme të paluajtshme, një apartamenti 82 m2 në kryeqytet i blerë 50 mijë euro. Gjyqtari Toska rezultoi i përshtatshëm për komisionin edhe sa i përket pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Vendimi përfundimtar për të pritet të shpallet në 21 Qershor./abcnews.al