Vettingu “djeg” Hoxhën, drejt konfirmimit Manjola Xhaxho

schedule17:29 - 10 Maj, 2018

schedule 17:29 - 10 Maj, 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Kushtetueses, Fatmir Hoxha, duke e çuar në tre numrin e të larguarve nga kjo gjykatë. Ndërsa gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Manjola Xhaxhoa, duket se do kalojë me sukses filtrat e vettingut. 

Pas shkarkimit nga detyra të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Vettingu nuk kurseu as të tretin. Rojtari i katërt i Kushtetutës që u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit rezultoi i pasukseshëm. Për shkak të moskonfirmimit në detyrë nga e premtja, ai nuk mund të ushtrojë funksionin e gjyqtarit.

Ishte pasuria, kriteri i rivlerësimit që ndëshkoi gjyqtarin Hoxha. Nga hetimi i KPK-së rezultonte se ai nuk justifikonte 1.7 milionë lekë të rinj, të shpenzuara për blerjen e një apartamenti.

Përmes avokatit, Hoxha pretendoi se shuma ishte e justifikuar, duke përmendur edhe një kredi të butë prej 5 milionë lekësh të marra, një borxh tek një mik, si edhe një shumë prej 270 mijë lekë të hedhura gjatë ceremonisë së dashmës.

Largimi i Hoxhës e lë Kushtetuesen me tre gjyqtarë, nga nëntë që duhet të ketë trupa. Prej tyre, Vitore Tusha është rikonfirmuar në detyrë, ndërsa gjyqtarët Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari janë në pritje për të kaluar filtrave të Vettingut.

Më herët, paraditen e së enjtës, një tjetër gjyqtar doli para KPK-së. Gjyqtarja e Tiranës, Manjola Xhaxho, njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësore, rezultoi e pastër në të tre kriteret e rilerësimit, pasuri, figurën dhe integritetit profesional. Në seancën që zgjati vetëm 10 minuta u tha se gjyqtarja jetonte në shtëpinë e prindërve të saj. Xhaxho nuk shfaqi asnjë kundërshtim për hetimin dhe kërkoi konfirminin e saj në detyrë.  Vendimi përfundimtar për të do të jepet në 14 Maj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!