VETTING-Beteja e fundit e Pandeli Majkos

schedule20:40 - 11 Maj, 2021

schedule 20:40 - 11 Maj, 2021

Kryetar i FRESSH, 29 vjet deputet, dy herë sekretar i përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i grupit parlamentar, disa herë ministër, dy herë kryeministër… Pandeli Majko ka arritur thuajse majat më të larta të politikës në moshë shumë të re. Një karrierë e realizuar në rrethana shumë të vështira politike, nga të cilat ai doli pa ndonjë akuzë të rëndë për korrupsion apo skandale të tjera. Pandeli Majko lajmëroi uljen në stacionin e fundit, pas zgjedhjeve të 25 prillit ku nuk ia doli të marrë mandatin e deputetit.

BETEJA E FUNDIT

Në fund të nëntorit 1990, tre studentë të inxhinierisë mekanike, hartuan një letër të hapur drejtuar kryeministrit të atëhershëm, Adil Çarçani. Letra e pazakontë, rendiste disa kritika për qeverisjen diktatoriale nga partia -shtet, që kryesisht lidheshin me kushtet ekonomike. Në fund të letrës, kërkohej kryerja e disa reformave, të cilat mund të përmirësonin situatën ekonomike, por studentët kishin shkruar një frazë, e cila nuk mund të cilësohej vetëm si çështje ekonomike: “nuk mund të bëhet xhaketë e re, me copë të vjetër”. Letra e hapur u publikua nëpër dyert e universiteteve si dhe në hyrje të Qytetit Studenti. Një prej tre studentëve quhej Pandeli Majko. Ishin vitet e fundit të diktaturës, koha kur byroja e lodhur po dorëzohej dhe mbi gërmadhat e saj po formohej elita politike e tranzicionit.

Megjithatë, ishte gati e pamundur në atë kohë, që një student të guxonte të kritikonte partinë e pushtetin popullor, por Majko dhe shokët e tij e bënë. Ajo kritikë në stilin e fletërrufesë, tërhoqi vëmendjen e shumë intelektualëve dhe pedagogëve. Një prej tyre, pedagogu i Majkos, Arben Demeti, kërkoi menjëherë të takohej me studentin e tij.

“Unë u entuziazmova nga kjo letër dhe mora kontakt me studentët e mi të cilët i pyeta se kush ishte sekretar I komitetit të rinisë. Më thanë se ishte Pandeli Majko student i inxhinierisë mekanike, viti i pestë. E kërkova dhe e takova. E pyeta kush e ka hartuar atë letër dhe më tha se grupi i drejtuesve të rinisë së fakulteteve të inxhinierisë.

Më tha se ia kishin çuar në radhë të parë Adil Çarçanit më pas e kishin afishuar. Po kjo shprehja e xhaketave të vjetra cfarë do të thotë, dhe përgjigja ishte e vakët, jo ajo që prisja. Në fakt dredhoi nga pyetja. Ajo që tha Pandi ishte poshte nivelit të frazës së përdorur në letër. Ajo frazë e profesorit të Majkos duket si një paracaktim i udhës së tij politike”.

Akti i guximshëm i studentit shembullor, mesa duket ishte i pamjaftueshëm si shkëndijë për të ndezur revoltën që dukej se po dirigjohej nga vetë regjimi. Roli do të pasohej tek një tjetër student me një tjetër profil, si ai i Azem Hajdarit. Revolta studentore do të shpërthente në dhjetor dhe Pandeli Majko ishte një ndër studentët e dhjetorit ‘90, për të cilët thuhet se e rrëzuan diktaturën.

Ndërsa shumë prej studentëve dhe pedagogëve që morën pjesë në ngjarjet e dhjetorit ’90 krijuan partitë e para opozitare në Shqipëri, Pandeli Majko, së bashku me Ilir Metën, Ilir Zelën etj studentë, u bashkuan në lëvizjen e rinisë socialiste FRESSH. Pandeli Majko, u zgjodh deputet i kuvendit të Shqipërisë në vitin 1992, në moshën 25-vjeçare. Bashkë me të në kuvendin e Shqipërisë, u zgjodh deputet i Partisë Socialiste edhe Ilir Meta, gjithashtu student i dhjetorit.

Një ndër fjalimet e para të Majkos në parlament ishte pikërisht ai në mbështetje të Ilir Metës, kur mazhoranca demokrate po tentonte t’i hiqte imunitetin: “Mua do të më falni, se jam edhe pak i tensionuar. Mosha ime, së bashku me atë të Ilir Metës është tepër e re për të ruajtur dhe për të mbajtur tensione të tilla, siç është ky që po përjeton ky Parlament. Megjithatë ne jemi të rinj në politikë, por nuk jemi vogëlushë ….?

Do të ecnin bashkë në rrugën e politikës për t’u ndeshur në beteja të forta, herë si bashkëpunëtorë e herë si kundërshtarë. Zhvillimet politike të viteve të para të pluralizimit, nuk e favorizonin Partinë Socialiste, e cila vinte në skenën politike si pasardhëse e partisë shtet, PPSH. Në atë ambient politik, përveç betejave me kundërshtarët e Partisë Demokratike, lufta politike brenda Partisë Socialiste do t’iu rezervonte shpesh momente të vështira. Në këtë luftë, Pandeli Majko dhe të rinjtë e tjerë të FRESSH do të ndaheshin herë pas here në kampe të kundërta, pro apo kundër liderit socialist Fatos Nano.

Gjatë pesë viteve në opozitë, nga 1992 deri në 1997, u zhvillua një luftë e ashpër politike për pushtet. Në këto debate të brendshme të socialistëve, Pandeli Majko do të shquhej si i riu energjik me një pjekuri politike më të dukshme se shokët e tij FRESH-istë. Do të ngjiste shpejt shkallët e karrierës, duke u zgjedhur sekretar i përgjithshëm I PS-së në vitin 1997.

Për shkak të luftës së brendshme në PS, Fatos Nano u detyrua të japë dorëheqje në tetor 1998, vetëm një viti në detyrë. Postin e kryeministrit u emërua 31 vjeçari Pandeli Majko, ndërsa zv/kryeministër bashkudhëtari i tij në FRESSH, Ilir Meta.

Fatos Nano dha dorëheqje edhe nga posti i kryetarit të partisë, ndërsa të rinjtë e FRESSH filluan të udhëheqin Shqipërinë dhe partinë në një situatë të tensionuar politike dhe një lufte të ashpër me opozitën e drejtuar nga Sali Berisha.

Fatos Nano i dorëhequr si kryeministër e si kryetar i Partisë Socialiste, nisi sulmet ndaj qeverisë Majko duke e akuzuar për paaftësi. Megjithatë, Pandeli Majko po përjetonte kohët e suksesshme si kryeministër. Ishte koha e luftë në Kosovë.

Do të priste në Tiranë personalitete të rëndësishme të Botës, të angazhuar për luftën e Kosovës. Figura e Pandeli Majkos ishte rritur jashtë të gjitha parashikimeve të tij, por edhe të liderit të dorëhequr Fatos Nano. Ky i fundit, nisi lëvizjet për kthimin në krye të PS-së…Ndërsa Majko kërkonte shtyrjen e kongresit të partisë për shkak të zhvillimeve që lidheshin me luftën në Kosovë…

Në mesin e shtatorit 1999 Pandeli Majko bëri të ditur se do të kandidonte për kryetar të PS-së, ndërsa Meta deklaroi publikisht mbështetjen për kandidaturën e tij. Pandeli Majko, hyri në garë me profilin e një politikani të ri, i vlerësuar veçanërisht nga liderët më të rëndësishëm të Botës, për meritat e tij në luftën e Kosovës, por kjo ishte e pamjaftueshme. Brenda Partisë Socialiste ishte një terren krejt tjetër.

Me sloganin “na t’birtë e shekullit të ri”, (një varg i Migjenit), nisi më 9 tetor Kongresi i Tretë i PS-së, ku përplaseshin dy grupe kundërshtare, grupi “Nano” dhe grupi “Majko-Meta”. Nano, Majko, Meta e krerë të tjerë të PS-së folën me gjuhë të ashpër ndaj njëri tjetrit. Në fjalimet e mbajtura reflektohej qartë konflikti brenda partisë. Në seancën e zgjedhjeve të kongresit, Fatos Nano u rizgjodh kryetar i PS me një diferencë shumë të ngushtë prej 36 votash. Ilir Meta e vlerësoi kongresin të manipuluar, njësoj si zgjedhjet e 26 majit 1996, por ky qëndrim i tij u korrigjua vetëm pak ditë më vonë, pasi Nano i shtriu dorën e bashkëpunimit.

Më 14 tetor, pak ditë pas kongresit, Nano thirri në takim Ilir Metën, me të cilin arriti një marrëveshje mirëkuptimi. Për të justifikuar këtë marrëveshje, pas njërit prej konflikteve më të rënda midis tyre, ata e quajtën marrëveshje midis FRESSH-it dhe PS-së, duke e konsideruar FRESSH-in si një organizatë joqeveritare, të shkëputur nga partia. Brenda pak ditësh Pandeli Majko dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit.

Dorëheqja e Majkos 26 tetor 1999

“Kur mora mandatin për të drejtuar qeverinë e vendit, ndjeja se më mungonin shprehi të caktuara të qeverisjes, por jo vullneti për t’i mësuar ato. Se më mungonte aftësia për të hyrë dhe mbarsur në politikë me politikën e kulisave, por jo vullneti për të mbetur jashtë tyre, se më mungonte llogaria e ftohtë për të hyrë e për t’u bërë pjesë e hesapeve individuale e meskine, por jo vendosmëria për të mbetur jashtë moralit të politikës së hesapeve. Mund t’ju them se Pandeli Majko është i njëjti individ që keni njohur, i vendosur të mos ndryshojë bindjen se në Shqipëri nevojitet më shumë shpirt, dashuri e komunikim në politikë”.

Ditën, kur Majko zyrtarizoi dorëheqjen, Ilir Meta u shpall pasues i tij në detyrën e kryeministrit. Meta kishte deklaruar më parë mbështetjen për Majkon, por rezultatet e votimit dëshmuan të kundërtën. Posti i i kryeministrit dukej si shpërblim i Nanos ndaj Metës. Ilir Meta kryeministër po rriste më shpejti pushtetin e tij në PS. Në krah të tij nuk ishte Majko, por një tjetër personazh i politikës që po rriste me po aq shpejtësi profilin e tij në PS. Ishte Edi Rama. Me arrogancën e më të fortit, përkrah Edi Ramës, Ilir Meta i jepte liderit të opozitës Berisha, mesazhe politike nga Vlora.

Meta në Vlorë. Dhe po atje, në Vlorë, në një festë të FRESSH-it ku mungonte Pandeli Majko, Meta dhe njerëzit e tij që e rrethonin në pushtet, vallëzonin fitoret e njëpasnjëshme. Kur gjithçka dukej se po shkonte mirë për socialistët, pikërisht në shtator të vitit 2001, u rikthye beteja midis kryetarit të partisë Fatos Nano dhe kryeministrit Ilir Meta. Për shkak të luftës politike, në fund të janarit 2002, Ilir Meta paraqiti dorëheqjen nga posti i kryeministrit duke deklaruar se largohej për të mos pranuar shantazhet për të vendosur emra ministrash nën diktatin e kryetarit.

Pas largimit të Metës, KPD e 6 shkurtit të vitit 2002, i dha votëbesimin Pandeli Majkos për të drejtuar qeverinë. Por nuk do të zgjaste shumë, vetëm pesë muaj. Sepse më 17 korrik, Pandeli Majko do të jepte dorëheqjen i detyruar pasi në krye të qeverisë do të vinte Fatos Nano.

Dorëheqja e Majkos 17 korrik 2002

“E mora detyrën, sepse besova se këtë kërkonte nderi i partisë sime dhe nderi im. E mora detyrën sepse forumet drejtuese të partisë time besuan se do bëhesha pjesë dhe protagonist i zgjidhjes së krizës së besimit që na kishte mbërthyer. … Iki me bindjen se në PS nuk kam qenë thjesht vetëm zgjedhje, por edhe zgjidhje…….Kaq shumë rrugë për të mbërritur tek e vërteta, por e vërteta është vetëm një. Për të respektuar të vërtetën time vendosa të jap dorëheqjen”.

Pak ditë më pas, Fatos Nano u kthye si kryeministër, Ilir Meta zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Gjatë tri viteve që kishin mbetur në mandatin e dytë qeverisës, konflikti Nano-Meta do të vazhdonte deri në ndarjen e PS-së. Largimi I Ilir Metës dhe themelimi i LSI-së krijoi hapësira për të tjerë pretendentë që do të pasonin Fatos Nanon, por Pandeli Majko nuk ishte gati për beteja politike.

Një tjetër profil i rëndësishëm politik ishte rritur në distancë të mjaftueshme nga beteja e PS-së me FRESSH. Edi Rama, kryetari i bashkisë së Tiranës, e kishte garantuar ndërkohë postin e kryetarit të PS-së, sapo ta linte Fatos Nano, i detyruar nga humbja e partisë së tij në zgjedhjet e 3 korrikut 2005.

Koha e Edi Ramës

Në partinë socialistë nën drejtimin e Fatos Nanos, Pandeli Majko kishte menduar se kish parë mjaft e se betejat nuk mund të ishin më të forta se aq. Por shpejt do të kuptonte se nuk kish parë asgjë akoma. Në kongresin e fitores së Edi Ramës, në tetor 2005, Pandeli Majko u zgjodh sekretar i përgjithshëm i PS-së në garë me Arta Daden, e cila mbështetej nga Rama. Pandeli Majko, do të gjendej shpesh në situata të vështira, i pozicionuar kundër Ramës deri në vitin 2008, kur Rama garantoi ndryshimet kushtetuese, që i jepnin atij pushtet absolut. Në PS të drejtuar nga Edi Rama, Pandeli Majko do të duhej të luante gjithfarë rolesh e do ti duhej të firmoste a të votonte gjithfarë lloj vendimesh, shpesh në kundërshtim të plotë me çfarë mendonte e përfaqësonte.

Iu desh të ulej në karrigen e parlamentit përkrah personave me të shkuar kriminale dhe vota e tij si deputet, ishte e barazvlefshme me të tyren. Deri në zgjedhjet e fundit, nuk u diskutua asnjëherë vendi i Pandeli Majkos në listen e sigurt të kandidatëve për deputet të PS-së.  Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Majko u rendit në vendin e 19, përtej zonës së sigurt të listës së PS-së. kështu e humbi mandatin e deputetit. Pandeli Majko zëvendësohet në grupin parlamentar nga Ornaldo Aqif Rakipi.

54 vjeç, më e mira moshë për të dhënë në politikë, Pandeli majko vendos të tërhiqet: “Miq, megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston. Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë. Ju falenderoj që votuat për numrin 12, Partinë Socialiste! Sic do të thoshte im atë ndjesë pastë,… “19-ta kërkon leje për tu ulur në aeroport!” Ju jam mirënjohës që më bëtë ky që jam. Shpresoj tu kem dhënë “everything”! Mirupafshim! Pandi Tiranë 30 Prill 2021”.

Pandeli Majko paralajmëroi kështu stacionin e fundit. Sepse nuk është deputet i PS e nuk e dimë a do të vazhdojë të qëndrojë në strukturat e kësaj partie. Në stacionin e fundit, Majko ka thënë “Mirupafshim” e ndoshta nuk do të jetë një lamtumirë… Ndoshta do të qëndrojë aty si relike e hershme për të përmbushur profestësinë e kryeministrit për të ardhmen e të birit në këtë parti.

Kryetar i FRESSH, deputet, sekretar i përgjithshëm i PS-së, kryetar i grupit parlamentar, ministër, kryeministër… Pandeli Majko ka arritur thuajse majat më të larta të politikës në moshë shumë të re. Një karrierë e realizuar në rrethana shumë të vështira politike, nga të cilat ai doli pa ndonjë akuzë të rëndë për korrupsion apo skandale të tjera. Nisi aktivizimin në PS në vitin 1991, në moshën 24 vjeç. Bashkë me të rinj të tjerë u përdorën nga Fatos Nano si imazhi që pastronte të shkuarën komuniste të partisë.

Largohet nga grupi parlamentar i kësaj partie, plot 30 vjet më vonë.  Partia Socialiste e kësaj pranvere të vitit 2021, ka shumë pak të   përbashkëta me partinë që reformoi Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, Namik Dokle e bashkëkohësit e tyre nga viti 1992 deri në vitin 2005.  Ilir Meta, Pandeli Majko e aq më pak Fatos Nano, nuk e kishin menduar asnjëherë se sa shpejt do të vinte dita kur Edi Rama do ti largonte njëri pas tjetrit, njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste.

/ Abcnews.al