“Vetoja bullgare jo reale,” Aliaj: U kërkua nga palë në Bruksel sepse Shqipëria e RMV s’janë ende gati për BE-në

schedule19:51 - 24 Qershor, 2022

schedule 19:51 - 24 Qershor, 2022

Mbrëmjen e së enjtes Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Bullar votoi heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, një hap para ky, drejt heqjes përfundimtare të pengesës për çeljen e negociatave edhe për Shqipërinë.

Megjithatë, Ilir Aliaj nga Lëvizja Europiane thotë se çështja nuk mund të quhet ende e “mbyllur.” Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, Aliaj kujtoi se Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se pas heqjes së vetos duhet parë fillimisht se çfarë ndryshimesh kushtetuese janë kërkuar për vendin.

“Nëse Shkupi zyrtar e bën këtë sakrificë do të vendosej në pikëpyetje identiteti i tyre kombëtar.  Kemi edhe luftën e brendshme politike, VMRO, sipas sondazheve,  udhëheq të gjitha sondazhet nëse bëhet një votim i menjëhershëm në RMV. Ardhja në pushtet e tyre do të hapte shumë çështje të tjera të sigurisë në rajon.”

Po ashtu, Aliaj bashkohet me ato zëra që thonë se nga kjo situatë në rajon përfiton jo vetëm Serbia, por edhe shtete përtej rajonit siç mund të jetë Rusia.

“Çështja e ide kombëtar të maqedonasve, këtu është problemi, a do arrijnë të pranojnë këtë pikëpyetje për identitetin e tyre evropian, dhe çështje tjetër janë ndërhyrjet e palëve të treta që janë të interesuar për një krizë të radhës për rajonin.”

Për Ilir Aliajn vetoja bullgare nuk ka qenë reale. Sipas tij ajo është kërkuar nga palë në Bruksel për të të “shpikur një justifikim” që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos kenë ende mundësi t’i bashkohen unionit pasi mbeten ende “detyra shtëpie” për t’u bërë.

Megjithatë, lufta në Ukrainë e ka detyruar  Evropën që të ndryshojë lojën sa i përket gjeopolitikës.

“Unë besoj që shumë shpejt do të kemi një ndryshim të situatës. Pasi Perëndimi (BE-SHB), do të jenë në kohezion me njëri-tjetrin për të bërë lëshime.”

Kurse, duke u ndalur tek retorika e përdorur nga kryeministri Edi Rama së fundmi ndaj BE-së dhe Bullgarisë, Aliaj thotë se nuk është e duhura. Ai sjell në vëmendje se Bullgaria, edhe pse një vend sllav, Kosovën e ka njohur dhe me Shqipërinë ka pasur kryesisht një qasje miqësore. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!