Mbrëmjen e së dielës, “katalanasit” e Barcelona do të përballen në transfertë me skuadrën e Granada, pjesë e së cilës është dhe “bomberi” i Kombëtares sonë, Myrto Uzuni, në përballjen e vlefshme për javën e 9 të Kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga.
Si zakonisht, një ditë para sfidës u zhvillua dhe konferenca për shtyp, në kuadër të përballjes, nga e cila tekniku Xavi fillmisht foli për “kërkesat” e mëdha që tifozët kanë për lojën e Barça-s e më pas u ndal te mungesa e rëndësishme në sulm, ajo e “bomberit” polak, Robert Lewandowski.
“Nuk ka asnjë dyshim, Barcelona është një nga klubet më kërkuese në botë. Nuk mjafton vetëm të fitosh, duhet edhe të luash bukur. Është i vetmi klub në botë të cilit i kërkohet diçka e tillë. Por të luajturit bukur është në ADN tonë, në ndeshjen me Porto nuk kishim mjaftueshëm zotërim të topit dhe kemi parë videot për të kuptuar gabimet.
Mungesa e Lewandowski? Futbolli jonë nuk do të ndryshojë edhe pa Lewandowski në fushë, por mungesa e tij do të ndihet sepse ai është nga ata lojtarë që i frikëson kundërshtarët. Është e vështirë të zëvendësohet një sulmues i klasit botëror”,- u shpreh tekniku spanjoll. /i.m /abcnews.al