Vetëm 19 qendra të votimit për zgjedhjet në veri

schedule16:27 - 14 Prill, 2023

schedule 16:27 - 14 Prill, 2023

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), në mbledhjen e sotme ka miratuar qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme më 23 prill në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

Nga 44 qendra të votimit që janë në katër komunat veriore, KQZ-ja i ka zvogëluar në 19-sosh, ku 13 prej tyre do të jenë alternative. Ndërkohë, KQZ-ja vendosi po ashtu që numri i vendvotimeve të ulet nga 69 sa kanë qenë në 34, derisa numri i votuesve për një vendvotim të rritet nga 750 në 2 mijë votues.

Kryesuesi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, i cili është edhe anëtar i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani tha se ky vendim ka ardhur në koordinim me institucioneve të sigurisë. Sipas tij nga 44 qendra të votimit në veri, vetëm tetë prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato, por pas vlerësimeve të sigurisë është konstatuar se vetëm gjashtë prej tyre mund të hapen.

Ai tha se 13 qendrat alternative të votimit do të jenë kontejnerë, ku qytetarët mund të votojnë.

“Nga rekomandimi që kemi marrë me datë 10 prill dhe nga kontaktimi që kemi bërë me menaxherët e qendrave të votimit është konstatuar se nga 44 qendra të votimit që zakonisht është zhvilluar procesi zgjedhor, tetë prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato. Por, sidoqoftë duke u bazuar në vlerësimin të organeve të sigurisë, por edhe KKZ-ve është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme. Ndërsa, 13 qendra të votimit do të jenë qendrat alternative apo thënë ndryshe në kontejnerë të cilat do të sigurohet nga institucionet të tjera”, tha ai.

Por, anëtari tjetër i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, tha se nuk po e sheh asnjë dokument që tregon arsyet për krijimin e qendrave alternative të votimit.

Mirëpo, sipas kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se ky propozim për krijimin e qendrave alternative ka ardhur për shkak të hezitimit për hapjen e qendrave të votimit në shkollat në veri dhe vlerësimeve të organeve të sigurisë.

Krahas këtyre, KQZ-ja vendosi për shtypjen e 43 mijë fletëvotimeve për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan do të mbahen më 23 prill./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!