Vetëdorëzohet i shumëkërkuari Klement Balili

schedule18:20 - 15 Janar, 2019

schedule 18:20 - 15 Janar, 2019

Klement Balili, i shpallur në kërkim nga Krimet e Rënda për trafik ndërkombëtar droge, i ka dhënë fund arratisë së tij mbi 2 vjeçare. Vetëdorëzimi i tij ka ardhur pas 3 muajsh negociata të titullarëve të policisë me familjen e tij. Ndërsa  Ministri i Brendshëm e komentoi ngjarjen si një operacion të suksesshëm policor.

Pas më shumë se dy vitesh, mëngjesi i së martës ishte i fundit kur Klement Balili është zgjuar në arrati. Në orën 8:45 ai mbylli këtë kapitull, duke u vetëdorëzuar për t’u vënë në dispozicon të drejtësisë.

Dorëzimi i Balilit, të lakuarit mediatikisht si “Eskobari i  Ballkanit” dhe personi më i kërkuar në Shqipëri, u konfirmua në orët e paradites. Sipas burimeve, pas tre muajsh negociata mes familjarëve të tij dhe titullarëve të Policisë së Shtetit, Balili pranoi të dorëzohej. Kontakti i tij i parë me njerëzit e shtetit ka qenë në zonën mes Finiqit dhe Delvinës, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjitshëm i Policisë, Ardi Veliu. Përmes një eskorte të përbërë nga dy automjete civile Balili ka udhëtuar drejt kryeqytetit. Fillimisht ai është shoqëruar drejt Komisariatin e Policisë nr.6 ku është bërë ekzekutimi i urdhër-arrestit dhënë në mungesë për të dhe mandej është dërguar në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Në një dalje per mediat në mesditë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se biznesmeni i akuzuar për trafik ndërkombëtar të drogës nuk përballoi dot presionin dhe ngushtimin e hapësirës së tij të veprimit.

“Policia Shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë dhe të ndërlikuar për dorëzimin e Klement Balilit pas një procesi operativo gjurmues në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe partnerët tanë. Nga sot drejtësia shqiptare merr sot njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj”.

Sipas Lleshajt kapja e Balilit tregon se Policia ndodhet tashmë në një tjetër nivel.

“Arrestimi i sotëm është një mesazh shumë domethënës për drejtësinë dhe një provë e qartë që policia është në një nivel të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”.

Vetëdorëzimi i Klement Balilit vjen në një moment ku hetimet e nisura ndaj tij në Prokurorinë për Krimet e Rënda janë drejt fundit. Pak ditë më parë në duart e prokurorit të cështjes kanë mbërritur përmes letërporosie edhe disa akte shtesë nga dosja penale e autoriteteve greke. Këto akte i janë shtuar gati 1300 faqeve të mbërritura në dhjetor të vitit 2016, mes të cilave ndodhen edhe dhjetra biseda të përgjuara. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!