Veseli dhe Limaj takohen me Berishën: Kosova nuk ndahet

schedule13:44 - 12 Shtator, 2018

schedule 13:44 - 12 Shtator, 2018

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, gjatë vizitës në Tiranë janë takuar edhe ish kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit u shpreh përsëri kundër ndryshimit të kufijve dhe komentoi ashpër deklaratat e presidentit serb në veri të Kosovës.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka pritur në takim një delegacion të Kosovës të përbërë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrat, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi. Në një prononcim, Berisha komenton me tone të ashpëra deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Veri të Kosovës.

Sali Berisha: “E shfrytëzoj rastin për të dënuar publikisht qëndrimin e Aleksandër Vuçiç, i cili erdhi me dy flamuj, me flamurin e Serbisë së Madhe të Millosheviçit dhe erdhi me flamurin e doktrinës të Vaso Çubrilloviçit, i cili në çdo takim dhe mbledhje fliste vetëm për demografi dhe pyeste se sa shqiptarë janë, sikur të ishin alienë shqiptarët dhe jo banorë mijëra vjeçar në trojet e tyre. Edhe njëherë i bëj thirrje këtij komuniteti ndërkombëtar, të studiojnë vizitën e tij, se cili është ky qaraman, se ky është burrë shteti që rrin dhe qahet në çdo vend bënë viktimën në ndërkohë kur ai është një Millosheviç i dytë, plus një Çubrilloviç”.

Nga ana tjetër Veseli, duke iu drejtuar Berishës si president, nënvizoi se Kosova nuk do të ndahet. Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim.

Kadri Veseli: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Kosova është një. Askush nuk mund ta dëmtojë Kosovën. Askush nuk mund ta ndajë Kosovën. Askush nuk mund të ndërtojë Repoublika Srpska në Kosovë në qoftë se ne, populli i Kosovës, qytetarët, partitë politike jemi bashkë, pozitë dhe opozitë. Ky është mesazhi që duam të çojmë bashakarisht”.

Të njëjtin mendim ndau edhe zëvendëskryeministri Limaj, i cili tha se duhet të ndërtohet grupi i unitetit, pasi që sipas tij, vetëm të bashkuar Kosova do të ecë përpara. Ai ka falënderuar ish-kryeministrin Sali Berisha për mbështetjen që i ka dhënë gjithmonë Kosovës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!