Kryeministri Rama u kujton studentëve të Universitetit të Gjirokastrës të mos harrojnë kërkesat që i kanë drejtuar qeverisë, disa prej të cilave kanë të bëjnë me vlerësimin e pedagogëve dhe cilësinë e mësimdhënies. Kjo është detyrë e universiteteve u tha kreu i qeverisë studenteve gjatë një takimi me ta në mjediset e Universitetit.
Po e presin me brohorima kalimin e kryeministrit Edi Rama në Gjirokastër. Në fakt nuk po i urojnë mirëseardhjen. Opozita nëpërmjet një grupi mbështetësish ka dalë t’i kujtojë kërkesën që ka për të.
Destinacioni i njoftuar i kryeministrit ishte takimi me studentët e Universitetit “Eqerem Çabej”. Ndodhej përballë tyre për të dëgjuar propozimet që kanë për të fianlizuar draftin Për Paktin me Universitetin, por duket se nuk janë më të njëjtët.
“E dija që do kalonte Viti i ri dhe do bëheshit më të urtë por a ka ndonjë gjë tjetër. E dija që do bëheshit të urtë fare. Tani frika që kam është se pas kësaj urtësie do vijë gjumi. Aty pastaj duhet pritur një dekadë që të zgjoheni prapë. Unë s’ju lë t’ju zërë gjumi”, tha Rama.
Përveç sqarimeve mbi tarifat e ulura kryeministri u kujton edhe kërkesat që duken të harruara prej tyre sot të cilat janë:
Titujt shkencorë sa të vërtetë janë? Tregëtia e librave në këmbim të notës si do të frenohet? Studentët si do të bëjnë vlerësimin e pedagogëve?
“Janë tre gjëra që i keni thënë ju, nuk i kam thënë unë.Ju po i harroni. Unë këto nuk i harroj. Kur ju thosha atëhere që do mbetem protestuesi i fundit, unë nuk lëshoj të paktën derisa të kem mundësi në këtë detyrë. E kam ditur mirë si do zhvillohej kjo histori dhe këtë do jua kujtoj vazhdimisht”, tha Rama.
Shumica e pedagogëve janë të denjë, por nuk janë të paktë edhe sharlatanët tha kreu i qeverisë.
“Sharlatanë, të cilët sillen si doktorë shkencash si profesorë, si njerëz që dinë shumë dhe që e kanë biznes”, tha kreu i qeverisë.
Sipas kryeminisitrit Rama akoma sot nuk ka një universitet që të ketë filluar procesin e verifikimit të titujve shkencorë.
“Është e drejta jote ta dimë kam përballë kë që po më tregon mua për këtë shkencë. Nuk e thonë. Do ta lini këtë gjë? Do ta harroni? Harrojeni”, tha ai.
Një nga kërkesat e artikuluara në Dhjetor ishte edhe ajo për ndihmë financiare. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tha se 2 miliardë lekë të reja do të reflektohet në buxhetin e vitit 2019 dhe prek 90 mijë studentë në të gjithë Shqipërinë. Megjithatë tani fillon pjesa më e vështirë sipas ministres Shahini dhe kjo është cilësia në mësimdhënie./abcnews.al