Vera e tretë në kontenier, e moshuara në Krujë: Nuk kam ku vendos kokën

schedule16:14 - 2 Korrik, 2022

schedule 16:14 - 2 Korrik, 2022

Në fshatin Mazhë të Krujës ka ende familje që jetojnë në kontenier, në pritje të ndërtimit të banesës. 75-vjeçarja Sanije Bega këto ditë të nxehta po i kalon e vetme në kontenier, pa asnjë kusht.

Është vera e tretë që Sanije Bega nga fshati Mazhë i Krujës po e kalon në kontenier.

Temperaturat përvëluese e bëjnë akoma më të vështirë qëndrimin e të. Ajo tregon se është e sëmurë dhe e vapa e stërmundon edhe më shumë.

“Është shumë për Zotin. Është duke mbajt dhe vapa, kam një frekuese”, thotë ajo.

Derën e kontenierit nuk e mban hapur pasi i frikësohet gjarpërinjve.

“Ca të bëj, më keq nuk ka ku shkon. Thyeva krahun se u rrezova nga tensioni, kam vuajtur gjithë jetën”, vazhdon e moshuara.

Shtëpia e saj u shemb tre vjet më parë nga tërmeti i 26 nëntorit, e deri sot askush nga shteti nuk është kujdesur që ta sistemojë në një banesë të re.

“Ja këto kushte. Nuk kam ku vendos kokën. Ça të bëj, më keq nuk ka ku shkon.  Ata kanë sjell, bashkia më ka sjell një cadër, më ka respektuar”, thotë ajo.

Për ndërtimin e moshuara i kërkon ndihmë shtetit, por deri sa kërkesa e saj të plotësohet ajo do të duhet të përballojë, temperaturat e larta në verë, ngricat në dimër, dhe neglizhencën e autoriteteve. /abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!