Vendosja e fashës për energjinë elektrike, Bejtja: Nëse keni konsumuar më shumë, e ndjeni te fatura e nëntorit

schedule20:28 - 27 Shtator, 2022

schedule 20:28 - 27 Shtator, 2022

Fatura me tarifën e re të energjisë pas vendosjes së fashës 800 kwh në muaj do t’u vijë shqiptarëve në nëntor. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja shpjegoi sesi do të nisë matja me tarifën e re për qytetarët shqiptarë.

Ndërsa shpjegoi se leximi i matësve bëhet pas 10-ditëshit të parë të muajit, Bejtja shtoi se rrjedhimisht i bie që konsumimi me formulën e re të nisë pas 11 tetorit.

“Ditët e para i takojnë muajit pararendës. 11 tetor-11 nëntor do të llogariten me tarifën e re. Që të mos keni mbifaturim, ditën që do ta lexojë faturisti mund t’i bëni një foto dhe të shihni shifrën. Në faturën e nëntorit do të ndjejmë ndryshimin nëse kemi konsumuar më tepër.”

Po ashtu, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se aktualisht energji prodhohet vetëm në Koman dhe Vaun e Dejës dhe se nevojat e vendit nuk plotësohen ende. Edhe pse ka pasur reshje këtë fillim vjeshte, sipas tij, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Reshjet janë shumë sporadike. Sot nuk janë intensive, nesër s’ka. S’kemi pasur një stinë të lagësht që të furnizojë lumin Drin.”  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!