Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për katër personat, të cilët u arrestuan për vrasjen me tritol të Hysni Ymerit. Njëri prej të arrestuarve, konkretisht Gert Bushati ka pranuar krimin para gjykatës.
Ai ka deklaruar se nuk ka patur dijeni se sasinë e eksplozivit do ta vendoste për të vrarë ndonjë person. Ai është shprehur se i është thënë nga porositësit se do të jetë vetëm për të trembur dikë dhe jo për të vrarë.
“Kur kam mësuar se ka vdekur shtetasi Hysni Ymeri jam tmerruar. Nuk kam patur dijeni për vrasje vetëm për të trembur dikë. Shtetasit Gjergj Zefi, Edison Hasaj dhe Ergys Ibrahimi më kanë kontaktuar për këtë punë dhe e kam pranuar. Tritolin e kam vënë me datë 27 dhjetor por pa e ditur se bëhej fjalë për vrasje”.
Gert Bushati ka deklaruar gjjthashtu se nuk e ka idenë cila është arsyeja e vendosjes së tritolit dhe se roli i tij ka qenë vetëm për ta vendosur duke mos patur më shumë informacion rreth kësaj çështje.
Sipas burimeve hetimore disa kohë më përpara sasia e eksplozivit është vënë edhe një herë tjetër por herën e parë nuk ka shpërthyer. Në këto kushte Gert Bushati e ka vendosur herën e dytë me 27 dhjetor dhe pas dy ditësh eksplozivi shpërtheu duke vrarë shtetasin Hysni Ymeri.
Fillimisht është zhvilluar seanca për shtetasit Ergys Ibrahimi, Gjergj Zefi dhe Edison Hasaj. Ndërkohë për Gert Bushatin që ka pranuar autorsinë e vendosjes së eksplozivit, masa e sigurisë u zhvillua veçmas.
Përsa kohë tre shtetasit e tjerë të dyshuar nuk e kanë pranuar dhe nuk kanë dhënë asnjë detaj, ende mbetet e paqartë cila është arsyeja e vrasjes së Hysni Ymerit.
Ndaj 4 të arrestuarve të dyshuar, rëndojnë akuzat “vrasje me paramendime e kryer në bashkëpunim”, “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “mbajta pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu ndaj tyre rëndojnë akuzat për “prodhim dhe shitje e narkotikëve në bashkëpunim” si dhe “prishje e qetësisë publike”.
Vëllai i viktimës vite më parë, në 1995 është dyshuar për një vrasje të shtetasit Shefqet Çekorja.
Ndërkohë në 2017 një kushëri i tij, shtetasi Dritan Ymeri është i dyshuar si autor i vrasjes së mjekut Ilir Aliaj por u arratis jashtë Shqipërisë pas ngjarjes.
Policia dhe prokuroria janë duke hetuar këto dy pista por edhe çdo pistë tjetër të mundshme sepse është ende e paqartë nëse vrasja e Hysni Ymerit lidhet me dy ngjarjet e sipërmendura apo lidhet me ndonjë konflikt tjetër.
Pak ditë përpara vrasjes, në Shqipëri mbërriti djali i Hysni Ymerit, i cili jeton jashtë vendit dhe ndodhej në spital me nënën e tij, e cila po lufton për jetën ndaj sëmundjes së rëndë.


