Vendosi tritol në banesën e Dukës, policia jep detaje për arrestimin e autorit

schedule09:44 - 26 Janar, 2022

schedule 09:44 - 26 Janar, 2022

Policia e Durrësit ka dhënë detaje për arrestimin e autorit që vendosi tritol në banesën e kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës. I arrestuar për ngjarjen është Arlen Hasanaj.

Sipas policisë 34-vjeçari dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së Dukës. Hasanaj akuzohet “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Burime bëjnë me dije për ABC se është banor i lagjes dhe pronari i një biznesi në zonë. Mësohet se Hasanaj ka në pronësi një biznes bar kafe dhe market, Euroshop. Pak minuta pas ngjarjes Duka deklaroi se e ka parë autorin nga kamerat e sigurisë, i cili ishte shfaqur i maskuar me kapuç dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Njoftimi i plotë:

Durrës/Vihet në pranga autori i dyshuar i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë arrestimi  në flagrancë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në lagjen nr.4, Durrës.

Arestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!