Vendimi për negociatat, klasa politike në Maqedoni falenderon Gjermaninë

schedule15:49 - 27 Shtator, 2019

schedule 15:49 - 27 Shtator, 2019

Krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut përmes rrjeteve sociale kanë falënderuar Bundestagun gjerman për vendimin pro hapjes se negociatave pa kushte. Po-në e Gjermanisë, ata e shohin si një nxitje për të vijuar reformat.

Presidenti Stevo Pendarovski përmes rrjetit social Twitter ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e Bundestagut. “Faleminderit Gjermani”, ka shkruar Presidenti.

Kryeministri Zoran Zaev falënderimin e ka shprehur përmes Facebookut.

“Vendimin përfundimtar e presim në Tetor, që do të jetë një mirënjohje për qytetarët dhe institucionet dhe për të gjitha vendimet tona, përpjekjet dhe sukseset. Kjo është një nxitje e madhe, vazhdojmë të punojmë edhe më tej. Falënderojmë të gjithë deputetët e Bundestagut gjerman dhe ekipin qeveritar të Kancelares Merkel”, ka shkruar Kryeministri Zaev.

Shefi i Diplomacisë Nikola Dimitrov vlerësoi se Bundestagu ka treguar liderizëm.

“Me pranimin e të arriturave të Maqedonisë së Veriut, inkurajohemi të vazhdojmë përpara. Ne plotësuam, ju plotësuat dhe do të vazhdojmë me të arritura”, ka shkruar Dimitrov në Twitter.

Zv/Kryeministri Bujar Osmani i cili në Berlin ishte i pranishëm në seancën e Bundestagut gjerman po ashtu shprehu falënderim me përkrahjen. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, pas përfundimit të votimit u prononcua përmes një komunikate.

“Përkrahja e Bundestagut gjerman për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një sinjal I rëndësishëm. Vendimi nënvizon rëndësinë që Ballkani Perëndimor e ka për BE-në dhe se vlerësohen reformat. Dy vendet duhet të vazhdojnë me përpjekjet reformuese, që të vazhdojnë rrugën drejt BE-së. Unë jam I bindur se qasja e kushtëzuar e Bundestagut do t`i bind edhe vende tjera në BE që ta miratojnë fillimin e negociatave”, ka deklaruar Heiko Maas.

Urimeve i është bashkangjitur edhe Komisioneri në largim Johanes Han me mesazhin se progresi konkret është kyç si inkurajim për reformat në Ballkanin Perëndimor dhe për kredibilitetin e BE-së./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!