“Nga PD nuk më përjashtojnë dot ata që nuk kanë lidhje me PD-në”. Ky është reagimi i Albana Vokshit pasi PD-ja zyrtare në mbledhjen e Kryesisë së mbajtur gjatë mbrëmjes të së hënës vendosi që ta përjashtojë përgjithmonë nga partia.
Anëtarja e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit në PD, në një postim në Facebook, shkruan se i vetmi organ legjitim në PD, është Komisioni pjesë e të cilit është edhe ajo vetë, i mandatuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2021.
Lexo edhe: EKSKLUZIVE/ “Përgjegjësi kryesor për sulmin ndaj PD”, Basha dhe Kryesia përjashtojnë Sali Berishën
Vokshi sjell në vëmendje se Basha është shkarkuar me 4446 vota të delegatëve në Kuvendin e 11 Dhjetorit, vendim që u ratifikua më pas me mbajtjen e referendumit më 18 dhjetor.
ALBANA VOKSHI
“Nga PD nuk më përjashtojnë dot ata që nuk kanë lidhje me PD-në. Nga PD nuk më përjashton dot një grup uzurpatorësh që PD-në e kanë mjet për pasurimin personal, ndaj e duan me cdo kusht. Ata nuk kanë lidhje as me demokratët as me demokracinë.
I vetmi organ legjitim në Partinë Demokratike, mandatuar nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetor 2022, është Komisioni i Rithemelimit të PD në të cilin unë jam anëtare.
Lulzim Basha është shkarkuar me 4446 vota të delegatëve legjitim të Kuvendit Kombëtar të PD, vendim ky i ratifikuar në mënyrë unanime nga rreth 44 mijë anëtarë të PD në referendumin e dt 18 dhjetor 2022. Në demokraci sovrani vendos!”
Vokshi është një nga 8 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit për të cilët në mbledhjen e Kryesisë së PD u vendos përjashtimi. Përgjithmonë nga Partia Demokratike, pas protestës së 8 janarit dhe mosdistancimit nga aktet e dhunës, edhe ish-kryeministri Sali Berisha. sb/abcnews.al/