Vendet që duhet të vizitoni në Shtator, Evening Standard: Shkoni në Bjeshkët e Namuna

schedule10:38 - 23 Korrik, 2018

schedule 10:38 - 23 Korrik, 2018

Britanikja Evening Standard i ka kushtuar një artikull 10 destinacioneve më të mira për t’u vizituar në muajin Shtator. Në të flitet edhe për Shqipërinë me Bjeshkët e Namuna dhe me Rivierën e jugut që duhen vizituar patjetër.

Në hemisferën veriore, Shtatori është një nga muajt më të mirë për të udhëtuar. Këto ditë ka më pak turistë, por moti vazhdon të jetë i ngrohtë. Krishtlindjet janë larg, ndërsa sezoni veror dalëngadalë mbaron, që do të thotë se çmimet janë më të lira për fluturime dhe akomodime, sipas Evening Standard.

Prandaj e përditshmja u jep disa këshilla lexuesve të saj, për 10 vendet të cilat duhen vizituar atë muaj.

Në vendin e parë, ata rendisin Bjeshkët e Namuna. Sipas britanikes, Bjeshkët janë bërë një destinacion shumë i frekuentueshëm vitet e fundit dhe kjo vetëm për një arsye: Peizazhi është jashtëzakonisht mahnitës. Shkoni atje në Shtator për motin e ngrohtë dhe udhëtoni për 5 orë mes Valbonës dhe Thethit përpara se t’i drejtoheni Rivierës shqiptare, sugjeron Evening Standard.

Më pas, britanikja rendit Mynihun në Gjermani, duke pasur parasysh festën e birrës që organizohet atje.

Të tjera destinacione renditen Chefchaouen në Marok për ndërtesat blu e Siçilia në Itali për ecje përgjatë bregdetit. Më pas, Standard shkon në Amerikën Latine, në Buenos Aires të Argjentinës, ku ndërthuret arkitektura franceze me atë italiane.

Vende të tjera për t’u vizituar sipas Evening Standard janë Vis-i në Kroaci, liqeni Disrict në Britani, Bora Bora në Polinezinë franceze dhe Santorini në Greqi. Dhjetëshen e vendeve që duhen vizituar në shtator e mbyll Pekini në Kinë, ku ndryshe, kjo periudhë kohore njihet si “muaji i artë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!