“Vend i bukur me premtime të pambajtura”, Rama pas Samitit të BE-së: Ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur

schedule14:14 - 23 Qershor, 2022

schedule 14:14 - 23 Qershor, 2022

Pas përfundimit të Samitit të BE-së në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka ndarë në Twitter foton e përbashkët me liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që ishin prezentë në Samit.

“Vend i bukur me premtime të bukura të pambajtura. Por ne shqiptarët nuk dorëzohemi bukur”, shkruan Rama në Twitter.

“Vend i bukur njerëz të këndshëm fjalë të bukura foto të bukura dhe imagjinoni sa më bukur mund të ishte nëse premtimet e bukura do të pasoheshin nga një dorëzim i këndshëm… Por ne shqiptarët nuk jemi aq të mirë sa të dorëzohemi bukur! Kështu që ne do të vazhdojmë dhe do të punojmë edhe më shumë për ta bërë Shqipërinë një anëtare të mirë të BE-së”, shkruan Rama.

Liderët e BE-së u mblodhën sot në një samit dy ditor në Bruksel.

Por çfarë pritet të ndodhë në Samit?

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shumë pranë vendimit të shumëpritur për aprovimin e kuadrit negociues.

Ky kuadër negociues kishte deri tani mbështetjen e 26 shteteve anëtare, por jo të Bullgarisë, e cila e ka mbajtur pezull për shkak të çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut kryesisht mbi të drejtat e qytetarëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut, si dhe çështjeve të tjera të lidhura me historinë, gjuhën dhe identitetin midis dy vendeve.

Por së fundmi në Bullgari është arritur një kompromis mbi propozimin francez për kuadrin negociues të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

Për Shqipërinë, që prej qershorit 2021 nuk ka asnjë vend anëtar që ka qenë kundër aprovimit të kuadrit negociues me Bashkimin Europia.

Në samitin e BE-së në Bruksel, liderët evropianë pritet të nënshkruajnë rekomandimin e javës së kaluar të Komisionit Evropian, për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat.

Sa i përket Ballkanit Perëndimor, udhëheqësit e BE pritet gjithashtu të shprehin angazhimin e plotë dhe të qartë të bllokut ndaj perspektivës së anëtarësimit të rajonit në bllok dhe të bëjnë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel do te mbajne një konferencë për shtyp në përfundim të takimit midis 27 liderëve të Bashkimit Europian dhe 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Burimet e Bashkimit Europian kanë shpjeguar për ABC, se do të ketë konkluzione edhe për Ballkanin Perëndimor.

/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!