Zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, atje ku po mbahen seancat përfundimtare për katër ish-krerët e UÇK-së, kanë marrë çdo ditë vëmendjen e kryeministrit Edi Rama.
Kësaj here, përballë argumenteve të prokurorisë që deklaronin se dëshmitë e figurave si Rubin apo Clark janë larg realitetit, kryeministri Rama ka vënë fjalën hapëse të avokatit të Hashim Thaçit, Luka Misetiç, me mbishkrimin: Ja edhe arsyeja kur flet përballë idiotësisë ndërkombëtare, duke mos ndryshuar qëndrim për procesin që ai e ka quajtur turpin e drejtësisë ndërkombëtare në zemër të Europës.
Kryeministri Rama ka zgjedhur momentin kur avokati kryesor i mbrojtjes, Luka Misetiç, nisi fjalën e tij, dy ditë pasi akuza shpalli pretencën: 45 vite burg për çlirimtarët.
Ai e nisi mbrojtjen me “aksiomën” se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe se çdo vendim tjetër i kësaj gjykate do të ishte i ndikuar nga “provat”, gjithsesi të diskutueshme, që ka paraqitur prokuroria.
Mbrojtja e Thaçit një ditë më parë “çmontoi” qëndrimin e prokurorisë, duke hedhur poshtë tentativën e tyre për t’i quajtur dëshmitarët ndërkombëtarë “të painformuar” dhe Thaçin si njeriun që ka urdhëruar vrasjet.
Madje, mbrojtja shkoi më tej, duke deklaruar se prokuroria ka selektuar “provat dhe dëshmitarët” që i konvenojnë.
I gjithë ky proces është një tentativë për “t’i murosur për së gjalli” krerët e UÇK-së, sipas kryeministrit, dhe për rrjedhojë një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e historisë.


