Veliu: Sasia rekord e kokainës në vlerë 180 milionë euro

schedule11:21 - 28 Shkurt, 2018

schedule 11:21 - 28 Shkurt, 2018

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në konferencë për shtyp pas kapjes së sasisë record të kokainës në Shqipëri ka dhënë detaje për operacionin e Policisë në bashkëpunim me prokurorinë e krimeve të rënda dhe hetimin doganor.

Sipas tij lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia kishte kaluar në Maltë dhe ka mbërritur në 19 shkurt në Portin e Durrësit, ku u mbajt në vëzhgim të pandërprerë.

Droga me vlerë 180 milionë euro ishte e paketuar 528 pako e mbështjellë me letër natriban, ndërsa në pranga ranë dy persona Donaldo Lusha 25 vjeç nga Tropoja dhe Armando Pezaku 25 vjeç nga Durrësi.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Arben Çekaj, pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Deklarata e plotë e kreut të Policisë Ardi Veliu:

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Drejtorinë e Hetimit Doganor, mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizës së riskut, pas një pune të mirë organizuar dhe të koordinuar, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snoë”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro.

Hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018.

Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane.

Operacioni ka nisur gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç.

Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët.

Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.

Nga tërësia e veprimeve të kryera, rezultuan të përfshirë në këtë aktivitet kriminal shtetasit dhe u arrestuan në flagrancë:

– Donaldo Lushaj, 25 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë;

– Armando Pezaku, 25 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.Ç., pronari i firmës ku u sekuestrua lënda narkotike.

Autoritetet shqiptare po vijojnë hetimet ngushtësisht me partnerët e huaj për të zbuluar gjithë lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë po vijon puna për evidentimin e pasurive të të arrestuarve dhe të përfshirëve në këtë trafik narkotikësh.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo paligjshmëri dhe aktivitet kriminal, për të ndërtuar një Shqipëri më të qetë e të sigurtë./abcnews.al