Veliaj: Tirana, kryeqyteti më i pastër i rajonit, duhet të jemi krenarë! Mirënjohje për secilin nga punonjësit e pastrimit

schedule14:38 - 10 Prill, 2023

schedule 14:38 - 10 Prill, 2023

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot planin strategjik të pastrimit të qytetit për 5 vitet e ardhshme, si vijim i bashkëpunimit të suksesshëm me Bashkinë e Veronës dhe kompaninë Eco Tirana. Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se Tirana është një nga qytetet më të pastra në Ballkan dhe u shpreh krenar se kjo vihet në dukje edhe nga të huajt e shumtë që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.

“E kam zemrën plot mirënjohje për ju sepse sot Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore. Kjo vjen falë burrave dhe grave, e sidomos grave, që punojnë orar pa orar, qoftë për Vit të Ri, për Bajram, për Pashkë, çdo fundjavë, apo qoftë kur është ditë pushimi për të gjithë dhe një parti ka vendosur të bëjë protestë dhe ata sigurohen që çdo gjë të pastrohet në kohë rekord, e në 15 minuta Tirana kthehet në normalitet. Jam ndjerë vërtet krenar kur shumë delegacione, qofshin nga Komisioni Europian – kur të gjithë kryeministrat e Europës u mblodhën në Tiranë në dhjetor – apo në ngjarje të mëdha si finalja e UEFA Conference League ose në aktivitetet për Vitin e Rinisë dhe Vitin e Sporteve, pavarësisht se flasin gjuhë të ndryshme, pavarësisht se vijnë nga vende të ndryshme, pavarësisht se vijnë për aktivitete të ndryshme – disa për politikë, disa për sport, disa për muzikë – një gjë e thonë të gjithë njësoj: Tirana është kryeqyteti më i pastër që kanë qenë në këto vite”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se pastërtia e Tiranës është kartëvizita më e bukur e qytetit, sidomos për turistët e huaj që e vizitojnë çdo vit atë. “Nuk po them se jemi më mirë se jashtë shtetit, kemi plot gjëra që nuk funksionojnë dhe që duhet t’i bëjmë më mirë – nuk po them se jemi vendi më i mirë në botë, as kryeqyteti më modern në botë – por jam duke thënë se tek çështja e pastrimit jemi numri 1 sot në rajonin tonë. E për sa kohë që këtë e thonë kryeministrat, çdo kryetar bashkie që na viziton, e thonë turistët, besoj se kjo është diçka që duhet të na bëjë krenarë. E di që politika futet kudo, i fut hundët edhe tek kazanët, tek pastrimi, tek koshat, tek fshesa, sepse e tillë është politika, sidomos në vendin tonë, që futet në çdo qelizë të shoqërisë, por unë besoj se kjo është një fushë ku secili duhet të ndihet krenar. Një rrugë e pastër, një shesh i pastër, një shkollë e pastër, një trotuar i pastër, duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi mirë, e të mos të politizojmë diçka që është kartëvizita më dinjitoze, më e bukur e përfaqësimit, fytyra jonë më e europiane, që është pastrimi i një Tirane që ndodh përditë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!