Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në konferencën “Bridge for Cities 4.0”, e mbajtur në Vienë. E ku organizata e Kombeve të Bashkuara përzgjodhi Tiranën në 10 qytetet me performancë të mirë financiare. Veliaj tha se ky vlerësim na inkurajon që ta kthejmë Tiranën në polin më të rëndësishëm ekonomik të gjithë rajonit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) përzgjedh Tiranën si një nga 10 qytetet që kanë patur performancën më të mirë financiare. Veliaj theksoi se ky vlerësim i dhënë nga OKB-ja, është një inkurajim që për katër vitet e ardhshme Tirana të kthehet jo vetëm në polin më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe të gjithë rajonit.
“Ajo që kemi prezantuar në OKB-në e Vjenës është se bashkia nuk është vetëm një realitet urban, bashkia është edhe një realitet ekonomik. Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për 50% të ekonomisë së vendit dhe ka pasur rritjen më të madhe ekonomike të çdo rajoni të Shqipërisë. Sipas INSTAT-it, Bashkia dhe Qarku i Tiranës është rritur mbi 10%. Kjo do të thotë se duhet të përgatitemi që ta mbajmë këtë rritje”, deklaroi Veliaj.
Në këtë takim, kryebashkiaku prezantoi disa nga nismat e ndërmarra për të nxitur ekonominë e Tiranës në katër vitet e fundit, si dhe sfidat me të cilat përballet kryeqyteti shqiptar.
“Po aplikojmë pranë qeverisë shqiptare që të licencohemi si operator i një zone të lirë ekonomike. Është një zonë që kemi përzgjedhur në Kashar, rreth 60-70 hektarë, të cilën duam t’ua ofrojmë kompanive që duan të zgjerojnë kapacitetet e tyre, kryesisht për kapanone dhe për linja prodhimi”, tha ai.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës pritet që të jenë një operator i rëndësishëm ekonomik edhe në fushën e energjisë, një nismë që synon të nxisë edhe shumë prej projekteve të tjera si transporti publik elektrik.
“Duam të vazhdojmë të jemi operator aktiv ekonomik edhe në fusha të tjera, siç është fusha energjetike. Bashkia ka një hidrocentral, duam të shfrytëzojmë ujëmbledhësin e Bovillës për ta kthyer jo vetëm si një vend nga ku marrim ujin, por edhe si një vend ku me panele solare, pluskuese, mund të marrim edhe energji elektrike, që pastaj të subvencionojmë transportin elektrik në Tiranë, me autobusët apo taksitë elektrike që kemi filluar t’i fusim në qytet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Gjatë kësaj vizite, kryetari i Bashkisë së Tiranës pati një takim të rëndësishëm edhe me LI Yong, Drejtor i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO)./ABC News Albania 24/7