Fëmijët e Qendrës Sociale në Shkozë kanë marrë dhurata nga Bashkia e Tiranës, të mundësuara nga donatorë të ndryshëm. Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi solidaritetin, që duhet treguar me njerëzit në nevojë.
Në këto ditë festive, bashkia e Tiranës në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm gëzuan me dhurata edhe fëmijët e Qendrës Sociale në Shkozë. Kryebashkiaku Erion Veliaj i uroi fëmijët për një vit sa më të mbarë.
“Ëndrra ime më e madhe është të kem si dhuratë nga ju, që në vitin 2019 të dilni të gjithë të shkëlqyer në mësime. Nëse secili prej jush lufton fort, respekton shokun, respekton familjen e tij, mban pastër qytetin, thotë “Të lutem; Faleminderit”, atëherë e gjithë Tirana është më e mirë. Nëse fillojmë që sot siç e kemi nisur këtu, që nuk dalim më në rrugë të lypim, nuk shkojmë të mbledhim plehra, nuk humbasim orët e mësimit, por të gjithë siç e kemi nisur mbarë, fokusohemi që të mësojmë fort, ta duam familjen dhe njëri-tjetrin, atëherë Tirana do të jetë qyteti më i mirë në Europë”.
Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen e tij edhe për kontributin që japin çdo ditë qendrat sociale të Tiranës për njerëzit në nevojë.
“Nuk ka rëndësi se çfarë jemi ne, romë apo egjiptianë, komunitete të tjera, ne jetojmë të gjithë bashkë. Kemi krijuar një hapësirë ku respektojmë njëri-tjetrin, e mbajmë pastër, ku jetohet me më shumë dinjitet, në shtëpi më të mira dhe jo në kasolle te Bregu i Lumit, kemi arritur këtë histori suksesi”.
Veliaj theksoi se bashkia do të jetë në shërbim të njerëzve në nevojë edhe në këto ditë festash, kur çdokush ka nevojë për dashuri e shpresë.