Veliaj shpall rikandidimin, flet për marrëdhëniet me Ramën

schedule12:36 - 23 Mars, 2019

schedule 12:36 - 23 Mars, 2019

Pavarësisht se thonin se do të vendosnin forumet e partisë, rikandidimi i kryebashkiakut Erion Veliaj për një mandat të dytë ishte i pritshëm. Mbështetjen nuk ia dhanë vetëm anëtarët e Partisë Socialiste, por edhe banorët e kryeqytetit. Madje edhe banorët e qyteteve të tjera kishin ardhur të mbështesnin rikandidimin e kryebashkiakut Veliaj.

Kjo pjesëmarrje e bën të bindur kryetarin e bashkisë se do ta drejtojë Tiranën edhe në katër vitet e ardhshme.

“Kush na ka inot, kështu na paftë përnot. Unë drejtoj Bashkinë model të Republikës së Shqipërisë”. 

Atyre që dyshojnë se e ka humbur mbështetjen e njeriut më të rëndësishme në parti gabojnë u tha kryebashkiaku Veliaj.

“Më vjen keq t’u zhgënjej po unë dhe Edi Rama jemi më bashkë se kurrë, më të fortë se kurrë, më të vendosur se kurrë të çojmë përpara Tiranën dhe ai të çojë përpara Shqipërinë dhe ambicien tonë evropiane”.

I sigurtë është edhe kryeministri Rama që flet për projektet e reja që ka për kryeqytetin.

“Muzeu historik është ende një fantazmë e së shkuarës mu në mes të sheshit. Opera është në kantier dhe fatmirësisht do ti hapë dyert, por në krah të saj biblioteka e Shqipërisë është i madhi i munguar në transformimin tonë të deri këtushëm. Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron përballë fëmijëve tanë. Patjetër që nuk e harroj teatrin e ri kombëtar, të cilin do ta ndërtojmë me se s’bën”.

Fitorja është e sigurtë në këtë bashki e në të tjerat për kryetarin e qeverisë dhe kjo e shtyn ti hedhë dorashkën e duelit opozitës me një propozim të ri.

“Nëse ju në zgjedhjet e 30 Qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë”.

Nuk është kjo oferta e vetme që i bën kryeministri Rama opozitës.

“Hajdeni ta miratojmë sëbashku atë reformë. Të biem dakord t’i eksperimentojmë po të doni në disa zona që në Qershor numërimin me votimin elektronik. Dhe meqë e keni me shumë qejf ju temën e shitblerjes së votës ne jemi të gatshëm të miratojmë në parlament çdo masë të re ndëshkimore në Kodin Penal, që mund të propozojë viktima e mirënjohur e shitblerjes së votave në Shqipëri, doktoresha e shkencave mikroskopike zonja Monika Kryemadhi”.

Kaq mjaftojnë sipas tij për të qetësuar presidentin Ilir Meta që të mos e shoh situatën politike aq të zezë sa të vetësakrifikohet.

“Ilir Meta ndihet kaq i papërfaqësuar saqë i duke se një juntë ushtarake do sulmojë, pallatin presidencial. Zoti President e di se më dëgjon, rri i qetë. Jemi dhe do mbetemi vend i NATO-s. Nëse s’më beson mua, ke Pandin”.

Ironitë nuk i kurseu për të gjithë ata që i sheh si kundërshtarë.

“Një lider pa hallate që djeg mandatin e përfaqësimit të popullit që fshihet mes turmave. Ça lideri është ky? Ndërsa LSi sot jo vetëm nuk përfaqëson askënd, por po të dëgjojmë Monikën, LSI nuk përfaqëson as Ilir Metën”.

Duke parë që rrethohet nga një numër i madh njerëzish, nuk mund të mos ia tregojë edhe botës virtuale se ofensiva frontale që paralajmëroi do t’i zgjojë të gjitha bashkitë në 1 Korrik nga krahu i zemrës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!