Agjencitë dhe institucionet nën varësi të Bashkisë së Tiranës i janë bashkuar nismës së kryebashkiakut Erion Veliaj, për gjelbërimin e kryeqytetit. Së bashku me fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, Veliaj iu bashkua nismës së UKT-së për mbjelljen e 500 pemëve dekorative në pjesën jugore të Unazës së Tiranës.
Ai tha se falë mbjelljes së pemëve te reja, qytetarët që jetojnë në zonën e Unazës do ta kuptojnë në pranverë impaktin fantastik të këtij transformimi. “Jam shumë i lumtur sot që mbjellim 500 pemë në Unazën Jugore të Tiranës. Siç e shikoni, çdo herë përparojmë në drejtim të rrugës Tiranë-Elbasan, të autostradës së madhe, dhe besoj që në pranverë, kur të kenë çelur të gjithë këto pemë, do të kuptohet realisht impakti fantastik dhe mushkëria e oksigjenit që i është shtuar gjithë kësaj zone”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi nismën e ndërmarrjeve dhe agjencive nën varësi të Bashkisë së Tiranës, të cilat kanë vendosur të kontribuojnë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra. Ai shpreh se ky shembull do të nxisë edhe kompanitë private dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë që t’i bashkohen këtij projekti. “Nuk ka kuptim që t’u predikosh të tjerëve, nëse nuk e jep vetë shembullin i pari. Ndaj, më vjen mirë që të gjitha kompanitë, agjencitë e ndërmarrjet e Bashkisë janë ato të parat që japin shembullin, pastaj kërkojnë edhe nga privati. Dua të falenderoj UKT për faktin se ka dhënë shembullin e parë dhe shpresoj që deri në fund të sezonit të mbjelljeve, të gjitha agjencitë e Bashkisë së Tiranës do kenë dhënë kontributin e tyre të prekshëm në këtë projekt. Kemi më shumë arsye dhe më shumë kurajo që t’u kërkojmë edhe të tjerëve, kompanive private, agjencive të ndryshme, ambasadave të huaja që t’i bashkohen këtij projekti”, deklaroi Veliaj.
Bashkia e Tiranës synon që gjer në vitin 2030, në kryeqytet të mbillen 2 milionë pemë të reja, si pjesë e Pyllit Orbital. “Në ambicien tonë për të mbjellë 2 milionë pemë, 500 pemë janë si një pikë në oqean, por ashtu siç thoshte Nënë Tereza, pa këtë pikë në këtë oqean, oqeani do ishte disi më i vogël. Kështu, po të vijojmë në këtë drejtim gjatë gjithë kësaj stine, deri në mars-prill, kur të jetë moti i duhur për të vazhduar me mbjelljet, besoj që do kemi bërë kontributin më të madh të këtij revolucioni të gjelbër për Tiranën”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve, Redi Molla, ftoi edhe institucionet dhe bizneset private që të bëhen pjesë e këtij aksioni. “Pas thirrjes së kryetarit të Bashkisë për pyllëzimin e zonave të shpyllëzuara përreth liqenit, iu bashkua edhe stafi i UKT, duke mbjellë 500 pemë. Shpresojmë që kësaj nisme t’i bashkohen sa më shumë institucione dhe kompani private, ashtu si edhe individë”, tha Redi Molla./abcnews.al