Veliaj: Punimet në rrugë përfundojnë të dielën në mbrëmje

schedule18:59 - 14 Shtator, 2018

schedule 18:59 - 14 Shtator, 2018

Trafiku është kthyer në shqetësim për qytetarët në Tiranë. Punimet që po kryhen në rrugë kanë vështirësuar lëvizjen e automjeteve. Sipas kryetarit të bashkisë, asfaltimi i rrugëve përfundon të dielën në mbrëmje.

Të udhëtosh me makinë në rrugët e Tiranës këto ditë është kthyer në mision të vështirë. Thuajse në të gjitha segmentet rrugore përballesh me trafik të rënduar. Më e vështirë situata paraqitet përgjate unazës. Shkaku janë punimet që bashkia po kryen në rrugë. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, jep edhe një tjetër arsye.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës: “Çështja është se në çdo qytet 70000 mijë makina për njëherë krijojnë trafik. Është çmimi që secili prej nesh paguan në Tiranë.”

Ndërkohë, kryebashkiaku shpjegon pse punimet kanë zgjatur edhe përgjatë shtatorit kur të rriturit i rikthehen punës e të vegjlit shkollës dhe premton se të hënën asfaltimi i rrugëve do të ketë përfunduar.

“Iu kërkoj ndjesë qytetarëve për vonesat që ne kemi pasur këtë vit dhe unë do të dija që të kishim punuar nga marsi deri në shtator ose të paktën pjesën e verës non-stop, por ka qenë e pamundur pasi korriku dhe disa ditë në gusht kanë qenë me shi. Jemi mundur që punët që tipikisht bëhen në 6 muaj ti bënim në 6 javë dhe ia kemi dalë. Shkollat po bëhen gati edhe rrugët do të jenë gati deri të dielën në darkë.”

Deklaratat, kryetari i bashkisë i bëri gjatë një takimi me administratorët e njësive, të cilëve iu kërkoi të marrin masa për aksionin e pastrimit të së shtunës. Ai porositi që në fokus të kenë zonat pranë shkollave, ndërkohë kërkoi përfshirjen edhe të administratorëve të pallateve dhe personave që trajtohen me ndihmë ekonomike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!