Veliaj padit penalisht për shpifje Syri TV

schedule16:02 - 3 Prill, 2023

schedule 16:02 - 3 Prill, 2023

Pas transmetimit të deklarimeve të shtetasit italian Gabriele Tarroni Longhinotti, i arrestuar në vitin 2021 dhe i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 vite burgim për mashtrim, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur penalisht për shpifje televizionin Syri, emisionin “Piranjat”, gazetarin Bledian Koka dhe producentin e emisionit, Vojo Bregu.

Në emisionin në fjalë, i transmetuar nga Syri TV, italian Longhinotti sulmoi ish ortakun e tij në biznes, Alberto Presezzi, por në deklarime e sipër përmendi edhe emrin e kryebashkiakut Veliaj.

Në një dalje për mediat, avokati Plarent Ndreca bëri me dije se ditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është depozituar padia për gjykimin penal për shpifje ndaj Televizionit Syri, emisionit “Piranjat, gazetarit Bledian Koka, dhe producentit Vojo Bregu, duke e cilësuar si një shpifje ordinere dhe falsifikim faktesh.

“Përveçse një shpifje ordinere alla ‘babale’, duket qartë se kjo është një skemë mashtrimi, e cila ka si qëllim vetëm garën elektorale dhe denigrimin e kandidatit të PS. Skemë e cila provohet nga fakti se, menjëherë pas publikimit të këtyre fakteve të rreme, u përqafua nga kandidati i Partisë së Lirisë dhe eksponentët e Partisë së Lirisë. Kjo përbën një shkelje të rëndë të ligjit. Përmes kësaj padie, ftojmë të gjithë ata që janë marrë me këtë skemë mashtrimi, të vijnë në gjykatë dhe të parashtrojnë faktet, ose ndryshe të mbajnë përgjegjësi ligjore për shpifjet e bëra dhe të përgënjeshtrojnë me të njëjtën mënyrë gënjeshtrën që kanë publikuar”, deklaroi avokati Ndreca.

I pyetur për këtë çështje, kryebashkiaku Veliaj tha se: “Dëshpërimi i Foltores dhe gjendja e rëndë në të cilën ndodhet dyshja Berisha-Meta, shkojnë deri atje sa përdorin televizionin e Zenit, paratë e Vojos dhe sajesat e një shtetasi italian, të certifikuar me vendim gjykate si mashtrues ordiner, për të kapur ndonjë votë aty-këtu. Por, përveç përgjigjes së merituar që do të marrin nga qytetarët e Tiranës në 14 maj, non-gratat dhe delfinët e tyre do të detyrohen ligjërisht të përgënjeshtrojnë shkronjë për shkronjë e fjalë për fjalë të gjitha shpifjet e sajuara”.

Por, si qëndron historia e mashtrimit të italianit Longhinotti?
Duket se gjithçka është një sajesë për hakmarrje e personale, për të sulmuar ish-ortakun e tij, Alberto Presezzi, i cili e kishte denoncuar më herët Longinotti-n për mashtrim. Pas këtij denoncimi Longinotti u arrestua në muajin prill të vitit 2021, pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuzën e mashtrimit. Longinotti u akuzua për mashtrim ndërkombëtar ndaj kompanisë “BP”, së cilës i ka vjedhur shumën prej rreth 1 milion eurosh, si dhe akuzohej për falsifikim dokumentesh bankare. Mësohet se i njëjti person është vetëofruar në disa televizione si dëshmitar, duke pretenduar se di skandale të mëdha edhe pse nuk ka asnjë dokument apo provë që të mbështesë deklarimet e tij, por me këtë synon të sulmojë ish ortakun.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!