Veliaj: Niset projekti pilot i rrugëve me kalldrëm

schedule15:29 - 16 Gusht, 2018

schedule 15:29 - 16 Gusht, 2018

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka inspektuar punimet në rrugën “Faik Konica”, pjesë e një projekti pilot të shtrimit të rrugëve me kalldrëm dhe dedikimit të tyre më tepër për këmbësorët sesa për autoveturat.

Segmenti që lidh stadiumin “Qemal Stafa” me Fakultetin e Gjeologjisë ishte inspektimi i rradhës i kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Punimet e kryera, sipas tij, i kanë dhënë Tiranës një nga rrugët më të bukura e cila në të ardhmen mund ti dedikohet vetëm këmbësorëve.

“Kjo është një rrugë e cila, jo shumë e gjatë në distancë, por sigurisht shumë e gjatë në luftën dhe betejën për të ndryshuar mentalitetin. Për të gjithë ata që duan të shohin vizionin se si e planifikojmë Tiranën, një rrugë e tillë e cila mund të kthehet dhe të konvertohet edhe në hapësirë pedonale me piston për të pasur një panair ushqimor, një treg fshatar, gjatë fundjavave, pra për t’i pasur rrugët shumëpërdorimshe, jo vetëm si pista për të xhiruar gomat, por edhe si hapësira ku komuniteti mund të mblidhet dhe nga rrugë mund të rikthehet në piacë, në një piacë lineare, ku njerëzit kalojnë kohën e tyre të lirë”.

Kreu i bashkisë Veliaj, njoftoi se rruga Faik Konica është e para e një grupi rrugësh që do të ndërtohen me kalldrëm, dhe që do t’i kushtohen më shumë qytetarëve dhe më pak makinave.

“Jam shumë i lumtur që ky projekt pilot i shtrimit të rrugëve me kalldrëm, ku për herë të parë kemi bordura mermeri, ku kemi investuar nga e para të gjitha rrjetet bashkëkohore, duke nisur nga fibrat optike dhe deri tek kanalizimet besoj që e ka ngritur standardin e punëve publike në qytetin e Tiranës”.

Rruga “Faik Konica” në Njësinë 2 është menduar si një zonë pedonale, me trafik të kufizuar, duke vendosur edhe pistona të levizshëm dhe me një sens kalimi./abcnews.al