Veliaj: Në mandatin tjetër do të ndërtojmë mbi 100 kënde lojërash në Tiranë

schedule15:45 - 29 Dhjetor, 2018

schedule 15:45 - 29 Dhjetor, 2018

Nga njësia numër dy, kryebashkiaku Erjon Veliaj premtoi se brenda mandatit të dyte do të ndërtojë 100 kënde lojërash dhe hapësira çlodhëse për qytetarët e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, në prag të Vitit të Ri ka inauguruar këndin e ri të lojërave në Njësinë numër 2 në Tiranë. Veliaj tha se nuk ka dhuratë më të bukur nën pemën e Vitit të Ri, se sa një tjetër kënd lojërash dhe hapësirë çlodhëse për banorët e kësaj njësie.

“Mezi pres që vitin tjetër, siç kemi bërë deri tani 37 kënde lojërash, ta dyfishojmë këtë numër dhe të kemi brenda mandatit tjetër mbi 100 kënde lojërash në Tiranë dhe hapësira rekreative”, u shpreh ai.

Teksa stadiumi “Arena Kombëtare” po merr formë përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e zonës përreth.

“Jam shumë i lumtur që shoh një projekt të ri të dy ndërmarrjeve shembullore të Bashkisë së Tiranës, të cilat me forcat dhe mjetet e tyre po kthejnë një hapësirë të degraduar të qytetit, si fusha pas stadiumit “Qemal Stafa”, në një hapësirë fantastike për fëmijët e gjithë familjet e kësaj zone. Sigurisht, bëhet në vigjilje të hapjes së stadiumit në pranverën apo verën e vitit tjetër dhe besoj se shkon me premtimin tonë për të rikuperuar çdo hapësirë publike. Në gjullurdinë e rrumpallën e viteve ‘90 këtu janë kthyer e kompensuar prona, por ama çdo cep që kemi gjetur, që është ende pronë publike, e kemi transformuar. Ky transformim ka të bëjë me pjesën publike të fushës, pas stadiumit “Qemal Stafa”, që do të vazhdojë edhe me pjesën përballë stadiumit”, tha Veliaj

Rikualifikimi i kësaj sipërfaqeje i shton Tiranës një tjetër lulishte, e cila do të bëjë të mundur që kjo sipërfaqe e gjelbër të vizitohet nga çdo moshë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!