Veliaj: Në fillim të vitit nisim projektin e Kopshtit Zoologjik

schedule13:03 - 16 Nëntor, 2017

schedule 13:03 - 16 Nëntor, 2017

Kanë përfunduar punimet për sistemimin e bllokut të banimit pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë. Deri në fund të vitit, kryeqyteti do të ketë 200 rrugë të rikonstruktuar ka deklaruar Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.

Në bashkëpunim me banorët dhe bizneset, bashkia e Tiranës i ka dhënë një pamje tjetër bllokut të banimit në rrugën Alla dhe Shyqyri Brari. E thënë nga Kryebashkiaku Erion Veliaj tashmë bëhet dallimi midis ambientit brenda dhe jashtë kopshtit zoologjik.

“Jam shumë i kënaqur sepse vetëm para pak javësh, në fillim të vjeshtës, ishim këtu dhe e gjithë zona e Kopshtit Zoologjik në fakt nuk merrej vesh nëse jetohej më mirë brenda Kopshtit Zoologjik apo jashtë Kopshtit Zoologjik. E them këtë pa humor, sepse situata i ngjante realisht një prej atyre episodeve ‘vende dhe popuj’, ku të mbysnin balta, dheu, zhuli dhe pluhuri. Sot është një gjendje krejt tjetër, ndaj edhe dua t’i falenderoj kolegët, që kanë bërë një punë fantastike për pak javë. Një punë e bërë në kohë rekord, por gjithashtu edhe në mënyrë cilësore”

Ky investim i pasqyruar në filmimet e shpërndara nga bashkia e tiranës është vetëm një nga pjesët e projektit për t’i dhuruar kryeqytetit rreth 200 rrugë të rikonstruktuara dhe të reja në vit.

“Kjo është pjesë e projektit për të rehabilituar 200 rrugë, pra është një buqetë rrugësh që po rehabilitohet në të gjithë Tiranën. Do ta vazhdojmë edhe për të kapur lagjen e fundit të Kopshtit Zoologjik, që është shumë afër majës së kodrës dhe për t’u siguruar që, ndodhi-ç’ndodhi me ish-komunën Farkë, Bashkia e re e Tiranës, që ka edhe Farkën brenda, të mos bëjë diferencime. Po punojmë nga ekstremi i Liqenit të Farkës e deri në ekstremin tjetër, që është në fakt kufiri mes Farkës dhe Selitës, edhe Kombinatit”

Jashtë investimeve nuk do të mbetet as kopshti zoologjik.

“Fillimisht do të bashkojmë Kopshtin Zoologjik me Kopshtin Botanik përmes një ‘tuneli’; pasi ta kemi shtuar këtë masë do ta bëjmë mjedisin e Kopshtit Zoologjik dhe Botanik në një ambient që i rikthehet qytetarëve. Kemi bërë disa riparime, Kopshti Zoologjik është më mirë sot për fëmijët, ka një pafundësi aktivitetesh, por imagjinoni sa i madh është potenciali  në momentin që ne bëjmë edhe shtesën me Kopshtin Botanik”

Sipas kryebashkiakut Veliaj dallimi mes qendrës dhe periferisë do të zbutet edhe më tej falë investimeve të shtuara që parashikon projektbuxheti i vitit 2018./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!