Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar financimin e një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin dhe thithjen e investitorëve të huaj në Tiranë. Ai zhvilloi takime shumë të rëndësishme me gjigantët e Masdar dhe Emaar, të cilët i ftoi të investojnë në projekte të ndryshme në Tiranë, si dhe i njohu ata me lehtësirat dhe klimën e favorshme të të bërit biznes në kryeqytet.
Gjatë vizitës së tij, Veliaj u prit në një takim të veçantë nga Mohammed Saif Al Suwaidi, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, me të cilin bisedoi financimin e projekteve konkrete si sheshi fundor i Bulevardit të Ri, Parku Qendror dhe ndërtesën e re të Bashkisë. Kryebashkiaku vlerësoi kontributin e dhënë nga miqtë e Fondit të Abu-Dhabit, për financimin e projektit të Bulevardit të Ri dhe Lumit të Tiranës dhe theksoi se Tirana është gati për një partneritet të ri për realizimin e projekteve të tjera zhvilluese.
“Ne po mbarojmë segmentin e tretë të Bulevardit të Ri, jemi pranë fundit të lumit ku do të kemi një tjetër shesh ceremonial. Pra, Bulevardi do të fillojë me sheshin “Nënë Tereza” dhe do të përfundojë me një shesh tjetër, aty ku takohet me Lumin e Tiranës. Jemi gjithashtu në fazën për të diskutuar se ku do të ndërtojmë bashkinë e re dhe gjithë zhvillimin që do të shkojë në atë zonë, për t’u siguruar që Tirana të balancohet, duke çuar më shumë zhvillim, banesa, biznese dhe tregti në anën e Bulevardit të Ri”, tha Veliaj.
Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, Mohammed Saif Al Suwaidi, e cilësoi të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkinë e Tiranës dhe vlerësoi progresin e projekteve të realizuara. Ai theksoi se aktualisht po shikohet mundësia e investimit në sektorë të ndryshëm. “Patëm një komunikim të shkëlqyer dhe negocime për dy projekte që kemi nisur me qeverinë shqiptare. Kjo marrëdhënie na kthen pas në vitin 2009, kur filluam financimet e para në vendin tuaj dhe që nga ajo kohë kemi patur një bashkëpunim të mirë. Falenderoj posaçërisht kryebashkiakun për gjithë mbështetjen dhe këtë progres të shkëlqyer lidhur me këto dy projekte. Aktualisht, jemi duke parë mundësitë e investimit në fusha të ndryshme. Kemi diskutuar në lidhje me nevojat financiare të qytetit të Tiranës në të ardhmen, do i studiojmë këto mundësi dhe këto aplikime dhe shpresojmë që ato të zënë vend në të ardhmen”, nënvizoi Al Suwaidi.
Duke e cilësuar speciale marrëdhënien e Bashkisë së Tiranës me Fondin e Abu-Dhabit, kryebashkiaku theksoi se është koha për t’i dhënë një ritëm të ri e modern zhvillimit të kryeqytetit. “Kemi pasur jo vetëm një marrëdhënie kreditues-kreditor, por edhe një marrëdhënie të një asistence teknike që na ka ndihmuar të bëjmë projekte me cilësi. Në Bulevardin e Ri parashikojmë të ketë një popullsi prej rreth 100 mijë banorësh. Me këtë projekt duam të tregojmë vizionin tonë për një lagje moderne të Tiranës”, nënvizoi Veliaj, teksa shprehu bindjen se Tirana moderne do të vijojë të zhvillohet në bashkëpunim edhe me partnerët strategjikë.
“Nuk ka më asnjë dyshim që Tirana do të zhvillohet. Mund t’i kalojmë vitet e ardhshme duke diskutuar për vlerat historike të qerpiçit ose mund t’i japim gaz dhe të shohim një Tiranë moderne sa jemi ende gjallë. Për të gjitha këto na duhen partnerë strategjikë që e kuptojnë vlerën e zhvillimit, që ecin me shpejtësi dhe me një cilësi të një zhvillimi modern në qytetin e Tiranës”, u shpreh Veliaj. /abcnews.al