Kreu i Bashkisë Tiranë në një aktivitet organizuar për sensibilizimin për parandalimin e kancerit të gjirit ka deklaruar se ka ende ditë kohë për përfitimin e kontrollit falas, i cili duhet të kthehet në rutinë për vajzat dhe zonjat.
Në muajin ndërkombëtar kundër kancerit të gjirit, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës u zhvillua një vrapim nën devizën “Vrapo me Shpresë” me qëllim sensibilizimin ndaj diagnostifikimit dhe parandalimit të hershëm të kësaj sëmundjeje, e cila po njeh rritje vit pas viti në vendin tonë. Apelin për përfitim të kontrollit falas gjatë këtij muaji por edhe atij të vazhdueshëm, e artikuloi kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Ka ende ditë në këtë muaj tetori për të shfrytëzuar mundësinë për të bërë ekzaminimin falas, ndërkohë nuk ka arsye pse të ndalojë në tetor. Është diçka që duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Është mëkat sot, me aq sa ka evoluar shkenca, spitalet, mjekësia, që të neglizhojmë sëmundje që mund të kurohen po të kapen herët”.
Për Veliajn dëgjesat me publikun për buxhetin e vitit të ardhshëm i kanë rezultuar në konfirmimin e mentalitetit të prapambetur, ku 9 nga 10 qytetarë e pyesin për rrugë makinash, jo parqe dhe gjelbërim më shumë, si shprehet kryebashkiaku i cili deklaroi se shqiptarët duhet të arrijnë të trajtojnë njeriun me të njëjtin respekt si makinat./abcnews.al