Veliaj: Na vizitojnë 7 milionë turistë në vit, kullat janë hotele me emra të mëdhenj botërorë

schedule12:07 - 1 Tetor, 2022

schedule 12:07 - 1 Tetor, 2022

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me Kryeministrin Rama ishin sot të pranishëm në prezantimin e konkursit ndërkombëtar për projektin prestigjioz të qendrës Tirana Multifunctional Center, u shpreh se Tirana deri në fund të këtij viti, për herë të parë, do të kapë shifrën e 7 milionë turistëve. Ai tha se strukturat hoteliere në kryeqytet duhet të jenë në të njëjtin nivel dhe të kenë kapacitete pritëse për të përballuar këto shifra.

“Për herë të parë, Tirana ka më shumë turistë se sa banorë në një vit. Është diçka e jashtëzakonshme! Tani si rrinë bashkë? Ne duam të kemi turistë, por nuk duam të kemi kulla? Në cilat hotele do të rrinë? Do t’i mbajmë si partizanët në shtëpi? Pra, ne duam të kemi edhe finalet e kupës së UEFA-s në Tiranë, të jemi edhe Kryeqyteti Europian i Rinisë, të vijë edhe Rita Ora me Dua Lipën, por nuk duam që këta të akomodohen? Po ku do akomoden? Siç e pamë në rastin e këtyre aktiviteteve të mëdha, kemi çuar njerëz deri në Shkodër, sigurisht edhe në Elbasan dhe në Durrës, për finalen e UEFA-s. Prandaj, është shumë e rëndësishme t’i bazojmë gjërat në fakte. Themi se kjo kompani është kompani mafioze, lavatriçe parash, por sot rrethohemi nga kulla e Hotel Intercontinental, nga kulla e Hotel Mariott, nga kulla e Hotel Melia. Pra, të gjitha kanë një adresë dhe një logo. Ndaj, unë besoj se na duhet një pakt kombëtar që të paktën të mos fyejmë, të mos shajmë, të mos e njollosim vendin tonë,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se i gjithë ky zhvillim ka bërë që të rritet vlera pronës në Tiranë për të gjithë. “Sot edhe sharësi më i madh, 7 vite pas administratës së gjumit, jeton në një shtëpi që vlen dy herë më shumë dhe s’ka bërë asgjë për këtë, por thjesht pse qyteti është më i pastër, Tirana ka pasur më shumë aktivitetedhe investimet tona në pika të caktuara e kanë rritur vlerën e pronës. Sot dhe kundërshtari më i madh i zhvillimit jeton më mirë,” tha Veliaj.