Vendimi i qeverisë për të ndaluar çdo aktivitet publik deri më 3 prill për shkak të koronavirusit ka ndryshuar rrjedhën e jetës së shqiptarëve.
Krahas njoftimit se do të dezinfektoheshini nga e para kopshtet dhe çerdhet, gjatë fjalës së tij pak minuta më parë, kryebashkiaku i Tiranës kërkoi nga banorët e qytetit që të tregoheshin të kujdesshëm gjatë ceremonive mortore si edhe ato martesore.
Ai kërkoi që të shmanget dhënia e dorës gjatë ceremonive mortore, kurse për celebrimet sugjeroi që në bashki të paraqiten vetëm nusja, dhëndri dhe ndonjë dëshmitar.
“Kam dhënë një porosi që në të 27 njësitë tona, përveç çifteve që detyrimisht duhet të celebrohen me dëshmitarët e tyre, çdo prani e tepërt familjarësh, kushërinj, dasmorësh, të ruhet për një moment tjetër. Nuk është ky momenti. Ka disa aktivitete që tipikisht menaxhohen nga Bashkia e Tiranës siç janë shërbimet funerale.
Ka disa tradita shumë të mira shqiptare që ne shkojmë, bëjmë për njëri-tjetrin. Duke qenë se jemi në një situatë emergjente, duhet të shmangim zakonet e dhënies së dorës në tubime të mëdha, kur ngushëllojmë dikë, do të gjejmë mënyra të tjera për të shprehur keqardhjen. Do të duhet që në çdo shërbim funeral, si në Sharrë, edhe në Tufinë, të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës”, bëri me dije Veliaj.



