Gjykata e Posaçme, ka rrëzuar të mërkurën kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për revokim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Në të njëjtën seancë, Gjyqtari i Posaçëm Erion Bani rrëzoi edhe kërkesën e biznesmenit Elman Abule për revokim të masës së sigurisë, i cili aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie”.
Gjatë seancës, gjykata u njoh me informacionin hetimor të kryera nga SPAK, për këto dy muaj, që kur Erion Veliaj, u arrestuar me urdhër të organit të akuzës.
Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”.
2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se krijuan një skemë korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh rreth tij me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro./abcnews.al

