Veliaj inspekton punimet për parkimin nëntokësor te Sheshi “Italia”

schedule12:54 - 4 Shtator, 2018

schedule 12:54 - 4 Shtator, 2018

Paralelisht me ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”, në sheshin “Italia” po merr jetë edhe nisma e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e parkingut nëntokësor publik, me kapacitet 200 vendësh.  

Ky është parkingu i katërt nëntokësor në tre vjet në tiranë, pas atij të sheshit “Skënderbej”, në Bulevardin e ri dhe parkingut tek “7 Xhuxhat”.

Parkimi në Sheshin “Italia” përkrah stadiumit “Arena Kombëtare” do t’i vijë në ndihmë edhe aktiviteteve të ndryshme që do të zhvillohen në këtë zonë. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se stadiumi i ri dhe ambientet ndihmëse rreth tij do t’u shërbejnë gjatë gjithë ditëve të javës qytetarëve të Tiranës.

“Është një parking me rreth 200 vende, i cili sot do t’i shërbejë kryesisht funksioneve rreth stadiumit, i cili për herë të parë nuk do të jetë një stadium që do të përdoret një herë në 7 ditë, por do të përdoret 7 ditë të javës, 24 orë”, tha Veliaj.

Bashkë me vendet e parkimit të stadiumit, në këtë shesh do të ketë 500 vende të lira për parkim.

“Do të jetë edhe qendër argëtimi, edhe qendër komerciale, edhe qendër kulinare, edhe një hapësirë publike dhe i gjithë sheshi pas përfundimit të parkimit kthehet në një shesh pedonal. Pra, fitojmë një zonë tjetër pedonale, mbas sheshit Skënderbej dhe pas Pazarit të Ri, për t’i dhënë Tiranës sa më shumë hapësira, ku njerëzit të vënë makinat nën tokë dhe të dalin me familjet e tyre mbi tokë, për të shijuar qytetin”, u shpreh Veliaj.

Teksa komentoi projektin “Arena Kombëtare”, kryebashkiaku theksoi se kryeqytetit do t’i shtohet edhe një tjetër markë e njohur me 5 yje në fushën e hotelerisë, që jo vetëm do të sjellë më shumë të ardhura, por njëkohësisht do të gjenerojë edhe vende të reja pune.

“Ky është një projekt jo vetëm i jashtëzakonshëm për qytetin, por edhe që ilustron fabulën tonë. Kulla lart është tashmë në negociata me një nga hotelet më të mira në botë, me 5 yje. Pra, qyteti jo vetëm mori taksa nga kulla, nga stadiumi, por është ekuivalentja e tre shkollave të reja, për më tepër qindra njerëz do të punësohen në hotelin e ri. Duhet të kuptojmë që sulmi mbi sipërmarrjen është një sulm pa sens, se vetëm ky zinxhir, pra nga taksat që paguhen me të cilat bëhen shkolla, rrugë, kopshte, çerdhe apo edhe gjithë ekonomia që zhvillon qytetin, me një investim që po i afrohet si privati, si publiku, afër 100 milionë eurove deri në fund të saj. Unë besoj që qyteti ka vetëm fitim”, theksoi Veliaj.

Veliaj bëri një krahasim mes ndërtimit të stadiumit dhe projektit të teatrit të ri. Duke iu përgjigjur skeptikëve, Kryetari i Bashkisë shprehu bindjen se teatri i ri ka potencialin që të përsërisë të njëjtën vatër ekonomike si stadiumi i ri./abcnews.al