Veliaj inspektoi punimet në shkollën “Kristo Frashëri”, në Don Bosko

schedule13:50 - 20 Maj, 2019

schedule 13:50 - 20 Maj, 2019

Kryetari i  bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e arsimit, Besa Shahini,  inspektuan hapjen e  punimeve të shkollës më të re, ‘Kristo Frashëri’ në zonën e Don Boskos. Kjo shkollë është pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë e cila do shërbejë për shumë banorë dhe do ndihmoi për mbylljen e shkollave me dy turne.

Kreu i bashkisë Tiranë dhe ministrja e arsimit Besa Shahini të shoqëruar nga deputet të zonës, inspektuan nisjen e punimeve në shkollën “Kristo Frashëri” në Don Bosko, pjesë e programit për ndërtimin e 17 shkollave të reja në Tiranë.

“Falë këtyre investimeve, nxënësit e zonës së Treshit, Bregut të Lumit, Kodër-Kamza dhe zona e Spitalit Ushtarak nuk do të humbasin më kohë për të shkuar në shkollë. Merr fund kështu një pjesë e madhe e stresit të familjeve, të cilat bëjnë tranzit nga një orë për të vajtur në shkollë e një orë tjetër për t’u kthyer, plus kostoja financiare dhe koha e humbur, por mbi të gjitha, shpëton i gjithë qyteti nga ankthi 20 e kusur vjeçar i mësimit me dy turne”.

Ndërkohë, shkollat e reja janë konceptuar që në fillim me territor të mjaftueshëm, që të përdoret edhe nga komuniteti gjatë kohës që s’ka mësim apo gjatë fundjavës, për çfarëdo lloj interesi komunitar.

Veliaj gjithzashtu deklaroi se zgjedhjet e 30 qershorit janë një referendum për mënyrën se si do vijojë Tirana dhe se garën e ka me veten.

“Në 30 qershor e kemi garën me veten. Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!