Veliaj: Gabojmë, korigjojmë, ecim para/ Kryebashkiaku reagon për herë të parë, pas arrestimeve të disa zyrtarëve

schedule22:54 - 3 Prill, 2024

schedule 22:54 - 3 Prill, 2024

Pas sfidës me shëndetin personal, Erion Veliaj është përballur këto ditë edhe me shëndetin e bashkisë që drejton. Por për kryebashkiakun e Tiranës me rëndësi është se si adresohen këto sfida. Pas problemeve me drejtësinë të disa drejtorëve,Veliaj tha se bashkia e Tiranës ka marrë vendimin për riformatimin e strukturave.

“Sot e kam nisur ditën me një takim, ku morëm vendimin për largimin e disa kolegëve sepse organizata e madhe është më e rëndësishme se 1 apo 2 persona, të cilët mund të kenë probleme me ligjin dhe duhet t’i zgjidhin këto probleme me drejtësinë.”

Duke folur për projektet e sukseshme të Bashkisë që i kanë ndryshuar pamjen Tiranës, përpara ekselentëve të shkollës “Qemal Stafa”,  Veliaj  foli edhe për korrigjim të gabimeve që mund të dalin gjatë punes.

“Është e pashmangshme që në një organizatë komplekse, dikush të cedojë, por, pyetja është: si sillet secili prej nesh kur përballet me këtë problem? Ndaj, mbetem i vendosur që, siç kjo organizatë e ka bërë Tiranën historinë më të madhe të suksesit në rajon, dhe në ndryshimet e korrigjimet për transparencë e luftë kundër konfliktit të interesit për punonjës apo ish-punonjës, të jetë gjithashtu model ripërtëritje e përmirësimi.”

Veliaj tha se shumë shpejt bashkia do të marrë masa konkrete për të rritur kontrollet në strukturat dhe garantuar trasparencën në punën e saj.

“Në ditët në vijim do të duhet të mendojmë me kolegët e bashkisë, disa masa konkrete që do duhen marrë, në mënyrë që të kemi një kontroll më të rreptë e një parandalim më efikas ndaj çdo lloj devijimi potencial nga standardet më të mira publike. Pasi Bashkia Tiranë duhet të jetë kampione edhe në procedurat e prokurimit, garantimin e transparencës, shmangien e konfliktit të interesit.”

E ndërsa drejtësia do të bëjë punën në mënyrë profesionale, Veliaj thotë se bashkia e Tiranës nuk do të stepet në projektet e saj duke përmbushur premtimet dhe duke mos cënuar besimin e qytetarëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!