Veliaj ftohet nga BERZH pas rikonfirmimit si kryebashkiak

schedule18:30 - 4 Korrik, 2019

schedule 18:30 - 4 Korrik, 2019

Pas rikonfirmimit si kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj ftohet dhe merr garancinë nga BERZH për vijimin e investimeve në kryeqytet edhe 4 vitet e ardhshme. Veliaj shpalosi para të pranishmëve në Londër edhe punët e kryera nga Bashkia e Tiranës si dhe objektivat e saj në të ardhmen e afërt.

BERZH do të vijojë të mbështesë më tej investimet në Tiranë. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku I Tiranës, Erion Veliaj teksa u ftua nga BERZH në Londër, pas rikonfirmimit për mandatin e dytë

Në takimin për “Qytetet e Gjelbra” në Londër, Veliaj tha se Tirana është vlerësuar si një ndër qytetet model për transformimin që ka pësuar, veçanërisht sa i përket gjelbërimit.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Jam shumë i lumtur që fillojmë këtë mandat të dytë energjik në Tiranë me një vizitë tek partnerët tanë të BERZH-it, ku Tirana është cilësuar si një ndër qytetet model për transformimin që ka pësuar, kryesisht me iniciativat tona të gjelbra, duke filluar nga Pylli Orbital, diçka që nisi si me shaka, një pemë këtu, një pemë atje, por tani është bërë një lëvizje ngjitëse tek fëmijët e çdo familjar që është përfshirë në gjelbërimin e Tiranës”.

Veliaj gjatë takimit me partnered e BERZH në Londër u shpreh se ka ardhur koha që fokusi i Bashkisë të jetë tek furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: “Si klientë të BERZH-it, që financohemi për rrjetin tonë të ujit, jam shumë i lumtur që brenda këtij mandati zgjidhëm të gjithë problematikën që kishim me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, me kreditorët tanë japonezë rifillojmë së shpejti aty, kurse me kreditorët tanë të BERZH po bëjmë dyfishimin e impiantit të Bovillës dhe dyfishimin e furnizimit të ujit në Tiranë. Kaluam në mandatin e parë nga 6 orë në 14 orë; ka ardhur koha që nga 14 orë në 24 orë dhe besoj se ditët më të mira edhe për ujin në Tiranë, i kemi përpara”.

Kryebashkiaku Veliaj evidentoi në takimin e organizuar nga BERZH progresin e bërë në pastrimin dhe gjelbërimin e Tiranës, ndërtimin e rrjetit ujësjellës, mbjelljen e 250 mijë pemëve nga 2 milionë që është objektivi deri në 2030, ndërtimin e 40 km korsi të dedikuara për biçikleta dhe ndërtimin e 46 këndeve për fëmijë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!