Veliaj dhuron plazmën për të prekurit me covid: S’ka trimëri! Fushatë vaksinimi për gripin

schedule15:48 - 10 Shtator, 2020

schedule 15:48 - 10 Shtator, 2020

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u paraqit sot pranë Bankës së Gjakut në QSUT për të dhuruar plazmën e gjakut, e cila ndihmon në shërimin e të prekurve të tjerë me Covid-19. Veliaj shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo.

“U bëj thirrje edhe 6 mijë të tjerëve që, ashtu si unë, e kanë kaluar Covid-19, ta dhurojnë plazmën. Nuk është bukur që të kemi vetëm 50 dhurime, ndaj lipset që ta dhurojnë edhe këta 6 mijë që kanë krijuar antitrupa. Ju lutem dhuroni, dhuroni, dhuroni! Është një mjet shtesë, jo i vetmi mjet, por një tjetër armë për ta fituar këtë luftë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi sakrificën e bluzave të bardha, si dhe gatishmërinë e të gjithë sistemit publik shëndetësor. “Unë jam një avokat i madh i shërbimeve publike, që ofrohen në vendin tonë. Djali im lindi në një spital publik, por edhe unë, pasi dola pozitiv me Covid-19, u referova nga mjeku i familjes dhe u ndoqa nga sistemi publik. Nëse ne që drejtojmë nuk besojmë te publikja, atëherë sigurisht edhe dikush tjetër e humbet besimin. Kështu japim besim se publikja mund të funksionojë sepse ne mund të kemi shkolla publike më të mira, çerdhe më të mira publike, kopshte më të mira publike, spitale më të mira publike”, deklaroi ai.

Bashkia thotë se në nisje të vitit të ri shkollor në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe UNICEF-in, do të nisin një fushatë ndërgjegjësimi dhe trajnimi me fëmijët nëpër shkolla e kopshte. “Me fillimin e shkollës, të cilën mezi e pres, patjetër do të përballemi me një rritje nga fluksi i fëmijëve që, ndoshta vetë e kalojnë dhe bëhen mbartës të virusit, por ama është rrezik edhe më i madh fakti që rrisim një brez, i cili rri tërë kohën ngjitur pas kompjuterit, pas telefonit dhe nuk di të ndërveprojë. Ajo që kemi zbuluar është se injoranca dhe padija bëjnë shumë e më shumë dëm se virusi i radhës”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj apeloi për një kujdes të shtuar në lidhje me respektimin e masave për të fituar betejën ndaj Covid-19. “Nuk ka trimëri të rrahësh gjoksin dhe të thuash se nuk të kap Covid-i. Njoh qindra prej tyre që vuajnë nga stigma dhe nuk e pranojnë se janë të infektuar, a thua se kanë bërë mëkat. Mëkat është të vjedhësh, të vrasësh, të shash, jo të sëmuresh. Ndaj, për sa kohë që ky nuk është mëkat, nuk është gabim dhe as faj, më mirë pranojeni, që familjarët, rrethi  juaj shoqëror, të mos rrezikohen”, tha ai.

Bashkia thotë se me afrimin e stinës së virozave, në Tiranë do të nisë edhe një fushatë në të gjitha njësitë administrative për vaksinimin e qytetarëve nga gripi stinor. “Ramë dakord me Ogertën që të fillojmë një fushatë në të gjitha njësitë administrative për njerëzit më të prekshëm, si të moshuarit, që të sigurohemi nga gripi stinor për të cilin kemi një vaksinë efektive. Kështu, ulim gjysmën e barrës, në mos më shumë, me të cilën mund të përballen institucionet tona. Është kjo shumica e heshtur që duhet t’ju japë zemër, krahasuar me një minorancë e cila, ndonjëherë me lajme të rreme për një klikim më shumë, shpërndan panik. Sot nëse ka një ekip kombëtar, ky është ekipi kombëtar i bluzave të bardha”, përfundoi Veliaj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se plazma është një tjetër armë në funksion të përpjekjeve që, ekipi ynë i shëndetësisë, po ndërmerr për të mundur Covid-19. “Një dhurim më shumë është një jetë më shumë e shpëtuar. Dua të bëj një apel për të gjithë ata të cilët e kanë kaluar Covid-19, të mos hezitojnë të vijnë në qendrat tona të dhurimit të gjakut. Gjaku, ashtu sikurse plazma, nuk mund të blihet, vetëm mund të dhurohet. Ne e kemi treguar se solidariteti nuk na mungon në situata të vështira. Asnjë moment dhe asnjë minutë nuk duhet humbur për të trajtuar simptomat e Covid-19. Mjeku i familjes është për të gjithë ju dhe spitalet gjithashtu janë në gatishmëri”, u shpreh Manastirliu, teksa dha lajmin e mirë të rritjes së kapaciteteve të spitaleve, si me pajisje, ashtu edhe me staf mjekësor./db/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!