Tiranës i janë shtuar 650 pemë të reja. Këtë herë aksionit të Bashkisë së Tiranës per te mbjelle peme iu bashkuan zjarrfikësit e kryeqytetit.
Tetë muaj më parë zjarrfikësit shkuan në Krrabë për të shuar zjarret. Këtë fundjave u rikthyen për të zëvendësuar pemët e djegura.
“Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, është besoj fabula më e bukur e këtij qyteti: Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë. Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve. Çdo qytetar i Tiranës që ka parë këtë energji magjike në qytet gjatë këtyre muajve, ka edhe pak ditë kohë, deri në 21 mars”, u shpreh Veliaj.
Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 Mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve.
“Ndaj u them të gjithë qytetarëve: nxitoni, mbillni një pemë poshtë pallatit, poshtë shtëpisë, te vendi i punës, në shkollë, në kopësht, në çerdhe, nëpër parqe, kudo ku keni mundësi për t’i dhënë më shumë oksigjen Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj gjithashtu vuri në dukje se investimet që ka kryer bashkia në Krrabë kanë sjellë gjallërimin e ekonomisë lokale./abcnews.al