Rigjallërimi i hapësirave të gjelbra e ka kthyer Parkun e Liqenit Artificial në epiqendër të aktiviteteve sportive në Tiranë. Në fushat te kodrat e liqenit u zhvillua për herë të parë në Shqipëri kampionati “Survivor Games”, që promovon jetesën aktive në natyrë me pjesëmarrjen. Në nisje të kampionatit, ku marrin pjese 16 skuadra, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, tha se përmirësimi i infrastrukturës po sjell një kulturë të re tek qytetarët e Tiranës, të cilët gjithnjë e më shumë po orientohen drejt aktiviteteve sportive dhe kulturore.
“Me statistikat e bizneseve të bashkisë, ishte hera e parë që ra numri i kafeneve të reja, i basteve dhe i bingove, dhe u shtua numri i palestrave, i bibliotekave, i këndeve të lodrave dhe i terreneve sportive. Për t’u bërë europianë, e paskemi vetë në dorë, mjafton të marrim vendime si europianë, të sillemi si europianë, të ushtrohemi si europianë, të rilidhemi me natyrën dhe me njëri-tjetrin”,- tha Veliaj,
Deputeti i PS, Eduard Shalsi, shtoi se kryeqyteti është një model që duhet të ndiqet në të gjithë Shqipërinë.
“Për mua është jo thjesht kënaqësi, por edhe emocion i veçantë. E kemi jetuar Tiranën përmes përpjekjeve të vazhdueshme, por nuk paska emocion më të madh se sa të jesh në një mjedis të tillë, të shohësh liqenin krejtësisht të rigjallëruar. Ju inkurajoj të vazhdoni sepse tashmë jeni bërë një model jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë Shqipërinë. Shijojini këto mjedise”, deklaroi Shalsi.
Bashkia e Tiranës po vazhdon ndërkaq aksionin për mbjelljet e pemëve të reja, duke shtuar gjelbërimin në shumë parqe e zona periferike të kryeqytetit./abcnews.al