Vdes fëmija në Fushë-Arrëz, dyshohet për shkak të fruthit

schedule16:48 - 27 Mars, 2018

schedule 16:48 - 27 Mars, 2018

Një 13-vjeçare ka ndërruar jetë në Pukë. E mitura ka shfaqur simptomat e fruthit ndaj mjekët dyshojnë se mund të ketë humbur jetën nga kjo sëmundje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Berishe, një zonë kjo e izoluar nga dëbora.

Mjekët e njësisë administrative Iballë dyshuan se edhe vëllezërit dhe motrat e viktimës mund të ishin prekur nga fruthi. Ata dhanë alarmin për situatën dhe menjëherë dy helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes u nisën drejt fshatit. Pas disa tentativave për t’u ulur vetëm një helikopter mundi t’iu ofrojë ndihmën familjes që humbi të miturën.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se helikopteri ka sjellë në Tiranë tre fëmijët e tjerë të familjes. Ata po trajtohen në Pediatri dhe në Spitalin Infektiv në QSUT. Sipas mjekëve të QSUT nuk ka shenja klinike për fruth, por aktualisht po kryhen të gjitha analizat për të vërtetuar diagnozën. Ndërkohe Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune për verifikimin e shkakut të vdekjes së 13-vjeçares në Fushë-Arrëz./abcnews.al