Vdekje nëpër komisariate: Nga Arben Mici te Klodian Rasha, katër të rinjtë që u mbetën në dorë policëve

schedule13:58 - 20 Tetor, 2022

schedule 13:58 - 20 Tetor, 2022

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku 32-vjeçari Laer Kurti ka ndërruar jetë pasi është shoqëruar nga patrulla në Komisariatin nr 3.

Fillimisht AMP njoftoi se e riu pasi ka mbërritur në komisariat nuk është ndjerë mirë dhe më pas është  dërguar në Spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar jetë.

Por sipas raportimeve nga “Trauma” mësohet se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në spital.

Nga informacionet bëhet e ditur se viktima ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga epilepsia, shkruan Albeu.com

Ky është rasti i tretë në pak kohë që një qytetar humb jetën në duart e policisë pas Klodian Rashës dhe Ilvi Metës.

Ngjarja:

Gjithçka nisi kur rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentet e identifikimit.

Por ky i fundit, konkretisht 32-vjeçari Laer Kurti, tentoi të largohej, por u kap më pas. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Çfarë deklaroi AMP:

Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.

Rasti i tretë pas Klodian Rashës dhe Ilvi Metës:

Vrasja e Klodian Rashës, 08-10-2020

Më 8 dhjetor, orët e para të mëngjesit në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, Klodian Rasha u ekzekutua nga policia vetëm sepse shkeli orën policore gjatë pandemisë.

Gjithçka ndodh për pak sekonda, mbasi dy oficerë i kërkuan Klodianit të ndalojë. Klodiani ikën me vrap dhe njëri prej tyre, Nevaldo Hajdaraj, i vihet nga pas. Polici rrezohet, aty ulet në gjunjë dhe e qëllon mbas shpine Klodianin. Mbas të shtënave Klodiani vrapon dhe tre hapa dhe rrëzohet. Polici i afrohet dhe mbas tij dhe kolegu , ndërsa shfaqen në radio.

Për pak sekonda Klodiani ndërron jetë. Mbas vrasjes së Klodian Rashës vendi u përfshi në protesta, që kërkonin drejtësi për Klodianin dhe që u mbyllën me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe arrestimin e efektivit Nevaldo Hajdari.

Vetëvrasja e Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës, 04-05-2022

Ilvi Meta i dha fund jetës në ambientet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Kavajës, pasi ishte arrestuar pak orë më parë për vjedhje.

Çfarë tha policia:

“Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot, në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku në dhomat e sigurisë u gjet pa shenja jete, shtetasi I. M., i dyshuar si i vetëvarur, i cili ishte ndaluar mesditën e sotme, informojmë se:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka dërguar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë, një grup inspektimi, të përbërë nga specialistë të Departamentit të Sigurisë Publike dhe të Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar nëse janë zbatuar ose jo procedurat standarde për sigurinë e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar nga ana e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Veprimet hetimore po kryhen nga një grup i posaçëm hetimor i Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Policia e Shtetit nuk është pjesë e këtij hetimi.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar dhe e interesuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.”

Burime nga Prokuroria e Kavajës bënë me dije se në trupit e 31-vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune.

Rasti tjetër është vdekja e Enea Ftoit në Korçë.

Vdekja e 27 vjeçarit Enea Ftoi që humbi jetën në komisariatin e Korçës tronditi opinionin publik. Familjarët e Ftoit dorëzuan në Prokurori një CD me pamje filmike ku duken qartë shenjat e dhunës në trupin e të riut. Organi i akuzës, ka administruar si provë materiale, duke e bërë pjesë të fshikullit hetimor një CD me pamje filmike, ku familjarët pretendojnë se duken qartë shenjat e dhunës në trupin e të riut. Tomorr Ftoi, babai i viktimës: “Me video më të tëra, unë i kam origjinale. Nuk kanë si të gënjejnë ato.”

Familjarët e Enea Ftoit nuk pranojnë konkluzionet e ekspertizës mjeko-ligjore, duke akuzuar për dhunë disa efektivë të Komisariatit.

“Janë 7-8 polica ata që i kanë dhënë dhunë djalit. Janë edhe shoferat e tyre që ishin në turn. Unë kur vajta, më mashtruan.“

Mimoza Ftoi, e ëma: “Si bëhej gjyqi kur ne dëgjuam emrin dhe hymë brenda. U futëm brenda, gjyqi në atë kohë mbaroi, ka vdekur na thanë. S’dinim ku të shkonim. Janë shkelje këto, shkelja e policisë që na gënjeu. Shkelja e dytë është që prokuroria po e zhvillonte pa dijeninë e familjes.”

Zjarrvënia e qëllimshme e Arben Micit në Kamëz

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pak më shumë se disa muaj më parë, pikërisht në ambientet e një komisariati policie. Bëhet fjalë për komisariatin numër 5 në Kamëz, ku si pasojë e një zjarri të rënë në ambientet e dhomave të personave të ndaluar, 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën i asfiksuar nga tymi.

Në këtë ngjarje, një tjetër i paraburgosur dhe një punonjës policie, u dërguan në spital, por pa pasoja për jetën. Mici, banues në Çerkezë, kishte dhunuar nënën e tij dhe ishte arrestuar, ai ndezi dyshekun prej sfungjeri dhe duke u mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit, priti fundin e jetës.

/Albeu.com

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!