Tre anëtarë të familjes Haliti nga Gjilani humbën jetën, ndërkohë që kishin ardhur për të qëndruar disa ditë në Gjirin e Lalzit. Nëna, djali dhe bashkëshortja, dyshohet se kanë vdekur pas konsumimit të kërpudhave, ndërsa viktimave iu dha dje lamtumira e fundit.
Për këtë rast ka dal në një konferencë për media kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Ai ka njoftuar se rasti po hetohet dhe se Gjilani do të kërkojë drejtësi vazhdimisht.
“Në vizitë ngushëlluese te familja Haliti në Gjilan ka qenë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi….Jam njoftua për gjendjen e rënduar shëndetësore më 7 maj për këtë familje dhe kam shpreh interesimin me institucionet e Shqipërisë. Një ditë pas, njoftohem se Afrim Haliti humb nënën dhe bashkëshorten e tij, nga një helmim. Tani janë tre djem dhe një vajzë të rritur, trashëgimi e familjes”, tha Haziri ndër të tjerë në konferencë.
“Më 8 maj jam informuar nga Shqipëria për ndërmarrjen e veprimeve urgjente që përfshijnë Krimet e Rënda për fillimin e hetimeve…Presim rezultate zyrtare duke u solidarizu dhe rasti të zbardhet deri në fund, që familja dhe Gjilani të jetë më i qetë me këtë gjendje. Do të shikohet a është neglizhu rasti, kur është ndërhy në rast etj”, tha ai më tutje.
“Kemi pas rastin e të riut në pandemi që ende nuk është zbardh, dhe vdekjen e një tjetri në Dubravë. Drejtësia ka me u vendos edhe në rastin e familjes Haliti edhe në rastin e Agonit dhe do të zbardhen deri në fund”, shtoi ai.
Familjarët e të ndjerëve akuzuan mjekët të cilët sipas tyre kanë neglizhuar gjendjen e familjarëve të tyre. Ndërsa, kanë hedhur dyshime që mund të mos kenë vdekur për shkak të konsumimit të kërpudhave.
Djali i viktimave në një konferencë për media dje ka treguar se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai tha se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha. Sipas tij, familjarët e tij edhe më herët kanë mbledhur kërpurdha dhe i njihnin ato mirë.
Ndërkohë, mjeku i QSUT Alert Drishti i cili ka pritur tre pacientët nga Gjilani të cilët ndërruan jetë si pasojë e helmimit pasi konsumuan kërpudha ka deklaruar në një prononcim për gazetaren e ABC Ema Shazivari se ata kanë ardhur në gjendje të rëndë nga spitali i Durrësit. g.v/abcnews.al