Vdekja e Lear Kurtit, Karamuço në Abc Live: Është traumë të të ndalojë polici, institucionet lënë vend për dyshime

schedule12:20 - 21 Tetor, 2022

schedule 12:20 - 21 Tetor, 2022

Vdekja e 32-vjeçari Lear Kurti pas shoqërimit në komisariat ka sjellë reagime të shumta publike në vend, teksa edhe njëherë janë ngritur hije dyshimi ndaj Policisë së Shtetit.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka analizuar ngjarjen në “Abc live” me gazetaren Sibora Bitri, ku ka vënë në dukje se në raste të tilla policia duhet të zbatojë një manual, i cili nuk është bërë publik ende.

“Në rastin konkret, nga dinamika dhe ngjarja nuk po themi kush e vrau, po themi pse nuk u shpëtua. Dhe për këtë duhet t’i hyjmë jo vetëm ligjit dhe rregullores, por edhe një urdhri të veçantë që zbaton policia në këto lloj episodesh. Si e ndalon, pse dyshon, çfarë ndihme jep. Është një manual që udhëzon si duhet të veprojë policia në këto raste. Unë dje kam komunikuar me disa nga drejtuesit dhe u kam thënë që të gjitha policitë e kanë të publikuar manualin”, tha Karamuço.

Eksperti vuri në dukje edhe faktin se një garanci e shtuar është kamera trupore, për të siguruar se sjelljet e policisë kanë qenë sipas ligjit. Megjithatë, edhe pse janë paguar miliona për këto pajisje, sot nuk dihet se çfarë ka ndodhur, me policinë që ka për detyrë jo vetëm t’i mbajë, por edhe t’i mirëmbajë.

“Kamera trupore është nja garanci, në kundërthënie të atyre që regjistron kamera, është celulari i personit. Kjo përdoret për të garantuar që veprimet janë korrekte sipas ligjit. Ku janë kamerat sot? Me kamerat do ta kishim shumë të thjeshtë”, u shpreh Karamuço.

Ai u ndal veçanërisht edhe tek deklaratat e institucioneve, që shpesh janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Si pasojë e kësaj kakofonie, tha Karamuço, tek publiku krijohen me të drejtë dyshime.

“E para, policia krahas trajnimeve, duhet të trajnohet për deklaratat për shtyp. Dolën dje, policia, pastaj AMP, prokuroria, pastaj doli spitali që përgënjeshtroi. Na bëhet një kakofoni që nuk ka fare koherencë dhe afërmendsh do filojmë të dyshojmë. Secili nga ne ka dyshime. Dyshime ka edhe për një arsye tjetër: kush i ruan rojet në Shqipëri, kush i heton policët? I heton  AMP. Ajo duhet të jetë me staf civil, jo të dorëhequr që rikthehen në detyrë. Drejtuesi i ri ka konflikt, që ditën e parë ka kërkuar dosjen e tij. AMP është aty për të garantuar besimin e publikut tek policia. Është koha të publikohen procedurat standarde. Kur flasim për dokumentacionin, ka ardhur koha që policia të heqë dorë nga shoqërimi në komisariat i personave pse nuk kanë kartë identiteti”, tha ai.

Karamuço solli në vëmendje edhe faktin se në Shqipëri shumë breza janë rritur me një lloj frike nga policia, që shpesh përdorët si një personazh antagonist edhe për të bërë fëmijët të binden.

“Ne kemi përgatitur gjenerata të tëra duke i thënë “ha bukë se erdhi polici”. Është traumë e fortë që një polic të ndalojë në rrugë, për më teper shoqërimi, për më tepër komisariati”, tha ai.

Së fundi, Kramuço u ndal edhe tek procedurat standarde që duhen ndjekur në rast arretsimi dhe bëri thirrje që njerëzit të mos shoqërohen më në komisariate për shkak se nuk kanë me vete mjetin e identifikimit. Në vend të kësaj, ai propozoi edhe instalimin e një pajisjeje në çdo makinë policie, që e identifkon dikë vetëm nga shenja e gishtit.

“Me procedura standarde, në momentin kur personi ndalohet fizikisht, neutralizohet, i vendosen prangat, pyetet a i ka të shtrënguara, pastaj e pyet si ndihet nga ana shëndetësore, a ka shqetësime. Nëse thotë se ka ndonjë shqetësim e çon në spital”, tha Karamuço. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!