Edhe pse kanë kaluar dy muaj nga aksidenti që i mori jetën vogëlushes 5 vjeçare në fshatin Kurjan të Roskovecit, familjarët e saj tregojnë se ende nuk është vënë në vend drejtësia. Ata kanë protestuar përpara Prokurorisë së Fierit, ndërsa pretendojnë se është manipuluar ekspertiza e aksidentit dhe për rrjedhojë drejtuesi i automjetit është liruar nga burgu.
Familjarët e pesë vjeçares që u vra në një aksident në 30 qershor, kërkojnë riekspertim të ngjarjes. Në ditën e parë të shkollës, ata protestuan para Prokurorisë së Fierit. Gjyshja e 5 vjeçares, Lumturi Metohu, mban foton e mbesës në dorë. Pranë saj është bashkëshorti Azmi Metohu. Pretendojnë për manipulim të ekspertizës së aksidentit dhe për rrjedhojë drejtuesi i automjetit u lirua nga burgu. Ata thonë se i kanë kërkuar ndihmë për drejtësi edhe kryeporkurores Arta Marku dhe kryemnistrit Edi Rama.
“Nuk më ka ardhur shteti për asgjë. Kërkojmë prokurorin, e kemi takuar dhe kërkuar sqarime. Na e ka dhënë. Kërkuam ekspertizën rrugore se kemi dyshime. Më shkon mendja na e ka vrarë me qëllim derisa ka qenë me 20 shpejtësi. E nxirrja vetë nga burgu, jo prokuroria se s’ka ardhur në vendngjarje. Ngjarjen e kam parë vetë. Kemi bërë edhe prova. Makina ishte me shpejtësi marramendëse. U bë zhurmë e madhe. Nuk kemi sqarimet që duam. Avokati i ka kërkuar informacione dhe i është dhënë jo e saktë. Duam riekspertim”.
Aksidenti me vdekje ndodhi në fshatin Kurjan të Roskovecit. Drejtuesi i mjetit tip ford, Leonard Abedinaj 41 vjeç, u ndalua nga policia, por më pas duket se ai nuk doli shkaktar i ngjarjes dhe u la i lirë. Ditën kur ndodhi aksidenti, në njoftimin e parë policia tha se vajza vdiq në spital. Por në një tjetër njoftim policia dhe spitali, dolën me deklaratën që fëmija dha shenja jete. Një ditë më pas vogëlushja u shua në spital në Tiranë./abcnews.al