Vdekja e 4 turistëve rusë, mungojnë 2 telefona, “zbërthimi” i tyre pengesë për hetimet

schedule12:47 - 26 Tetor, 2021

schedule 12:47 - 26 Tetor, 2021

Prokuroria e Kavajës ende nuk ka marrë të dhëna nga telefonat celularë, që ju gjetën katër turistëve rusë që humbën jetën në hotelin luksoz në Qerret të Kavajës. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se aparatët celularë që përdornin turistët janë të llojit Iphone. Ekspertët nuk kanë mundur dot që t’i hapin telefonat për të marrë të dhëna të cilat do t’i ndihmonin hetuesit për të kuptuar se me kë kanë komunikuar  turistët përpara tragjedisë. Autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e izralitëve dhe telefonat pritet që të dërgohen në Izrael për t’i hapur ato.

Sipas grupit hetimor kjo kërkesë është bërë pasi sipas tyre zbardhja e bisedave apo telefanata që ata kanë kryer mund ta ndihmojë grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë një enigmë tjetër e hetuesëve është se turistëve i janë gjetur vetëm dy telefona, megjithëse ata ishin katër persona, Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe.

Nuk dihet ende se kujt prej familjarëve rusë i përkisnin telefonat. Edhe pse hetuesit kanë kontrolluar për gjetjen e telefonave të tjerë, nuk kanë mundur t’i gjejnë as në pishinën ku u konstatuan viktimat dhe as në dhomat që ata kishin rezervuar në hotel.

Kujtojmë se trupat e 4 rusëve janë dërguar në Rusi në një kohë ku hetimet për vrasje vijojnë ende në Shqipëri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit. Ambasada ruse në Shqipëri po ndjek me interes të madh hetimet e autoriteteve. Gjithashtu hetuesit kanë dyshime se nuk mund të ketë funksionuar sistemi i ventilimit të pishinës, duke sjellë mbingarkesën e ajrit. Do të jetë përgjigja e ekspertizës që do të përcaktojë edhe shkakun e vdekjes. be.k/abcnews.al