Vdekja e 25-vjeçares në Elbasan, Manastirliu: Presim ekspertizën

schedule21:19 - 24 Prill, 2019

schedule 21:19 - 24 Prill, 2019

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ftuar në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi ka reaguar në lidhje me vdekjen e 25-vjeçares Rexhina Debrova në maternitetin e Elbasanit. Manastirliu theksoi se ka ngritur një grup ekspertësh, të cilët do të verifikojnë praktikën që është ndjekur në rastin në fjalë.

“Është një ngjarje shumë e dhimbshme. Si ministre e Shëndetësisë, si grua shpreh ngushëllime familjes për humbjen. Nuk është e lehtë të përballesh me ngjarje të tilla. Më beso që asnjë mjek nuk do donte që të përballej me ngjarje të tilla. Sapo jam informuar kam ngritur një grup ekspertësh për të verifikuar protokollin që është ndjekur në rastin në fjalë.

Grupi është duke punuar. Paralelisht është prokuroria e cila po heton. Presim të dalin edhe  rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore në verifikimin që po bëhet në kuadër të hetimeve dhe do të marrim të gjithë vendimet e mëpasshme pas daljes së këtyre ekspertizave për të marrë dhe ngarkuar me përgjegjësi nëse do të ketë vend për përgjegjësi apo do të ketë vend për përmirësim të mëtejshëm në raport me shërbimin mjekësor në spital”, tha Manastirliu.

Rexhina Debrova me banim në Cërrik, humbi jetën pas operacionit ku solli një jetë një vajzë e cila gëzon shëndet të plotë. Humbja e saj tronditi familjarët, të cilët hedhin akuza ndaj mjekëve për ndërhyrje me vonesë. Sipas tyre, Rexhina ishte nisur për në maternitet pasi i kanë nisur dhimbjet. Por është futur në operacion 3 orë me vonesë.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë pati një reagim zyrtar edhe nga Spitali i Elbasanit. Në njoftimin e tyre për mediat behet me dije se  pacientja kishte ardhur me urgjencë në spital, me barrë të vonuar 42-javëshe dhe është futur në sallë, ku mjekët asistuan lindjen e fëmijës. Nëna e re dyshohet se pësoi komplikacion postoperatore “trombemboli pulmonare” i ashtuquajtur infarkt mushkërie. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!