Policia e Vlorës po heton edhe në pista të tjera rreth vetëvrasjes me armë të minorenit në fshatin Fitore. Nga familjarët është mësuar se sherri mes tij dhe babait kishte ndodhur kohë më parë dhe nuk arrijnë ta besojnë se ai ishte shkaku i ngjarjes.
Babai i 13-vjeçarit, i cili u vetëvra me pistoletë është i shokuar. Policia e Vlorës shkoi në shtëpinë e tij për ta marrë në pyetje rreth ngjarjes, por gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Për këtë arsye, hetuesit nuk kanë arritur të sigurojnë dëshminë lidhur me konfliktin që çoi dalin e tij, Mertjan Aliaj, të qëllonte veten me pistoletë në kokë.
Në të njëjtën kohë, policia ka shmangur shoqërimin në polici deri në kalimin e ditëve të zisë.
Nga burime të hetimit mësohet se babai i 13-vjecarit dispononte armën me leje, por që sipas familjarëve ai e mbante të fshehur dhe nuk dihet se si minoreni kishte arritur ta zbulonte.
Në të njëjtën kohë thuhet se sherri mes prindërit dhe djalit për lëvizjen e makinës pa leje kishte ndodhur një ditë më parë se të vetëvritej. Momentin kur prindi i ka kërkuar llogari, ai nuk ka reaguar keq dhe familjarët janë të tronditur përse fëmija e tyre mori këtë vendim.
Megjithatë grupi hetimor po heton edhe për ndonjë problem tjetër të viktimës përveç atij me prindërit. Ngjarja ndodhi në fshatin Fitore të Vlorës në shtëpinë që familja Aliaj kishte ngritur pranë stanit. /abcnews.al